Çavushogllu: Nëse SHBA nuk na i shet Patriot-ët, blejmë S-400 nga Rusia!

Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) rerfuzojnë t’i shesin Turqisë raketat Patriot, vendi mund të blejë raketa tjera S-400 nga Rusia ose sisteme tjera të mbrojtjes ajrore, deklaroi sot ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një prononcim për televizionin turk NTV Çavuşoğlu u kundërpërgjigj në kritikat amerikane për blerjen e sistemit raketor S-400, duke thënë se disa vende të NATO-s tashmë kanë raketat S-300, por kjo siç tha, nuk bie ndesh me anëtarësimin e tyre në NATO.

“Nëse SHBA-të refuzojnë të na shesin Patriotët, nesër mund të blejmë një tjetër S-400 ose një sistem tjetër të mbrojtjes ajrore”, tha ai.

Çavuşoğlu u është përgjigjur edhe kërcënimeve amerikane se do të anulojnë marrëveshjen për avionët F-35 nëse sistemi S-400 i dorëzohet Turqisë, duke thënë se Turqia mund të blejë avionë luftarakë nga një palë tjetër, deri sa të jetë në gjendje t’i prodhojë vet.

Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar që Turqia duhet të blejë sistemin raketor amerikan Patriot në vend të sistemit rus S-400, duke argumentuar se ai nuk përputhet me sistemet e NATO-s dhe ekspozon avionin F-35 ndaj mashtrimeve të mundshme ruse, përfshirë përpjekjet e fshehta për të marrë informacione kritike mbi avionin, që më pas mund të përcillen në Rusi.

Në përgjigje të pozicionit të SHBA-ve se sistemi raketor S-400 është i papajtueshëm me pajisjet ushtarake të NATO-s, ministri i Jashtëm turk, Çavuşoğlu të mërkurën e kaluar tha se sistemi do të shërbejë vetëm për përdorim të Turqisë.