Çavuşoğlu: Amerika Latine është zgjerim strategjik për Turqinë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se Amerika Latine është zgjerim strategjik për Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

I ndodhur në Uruguaj për një vizitë zyrtare, Çavuşoğlu inauguroi ambasadën e Turqisë në Montevideo.

Lidhur me turin në Amerikën Latine, Çavuşoğlu tha: “Uruguaji, ndalesa e parë e turneut që përfshin 6 vende në Amerikën Latine, është një prej vendeve dhe një prej partnerëve tanë që i kushtojmë rëndësi në rajon. Kohët e fundit ne kemi fituar një vrull të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dhe ambasada jonë që sot po e inaugurojmë zyrtarisht hyri në funksion vitin e kaluar në muajin mars”.

Ndërsa për rëndësinë e rajonit të Amerikës Latine, Çavuşoğlu deklaroi se “Amerika Latine për ne është zgjerim strategjik. Në 20 vitet e fundit e kemi rritur nga 6 në 17 numrin e ambasadave tona në rajon. Brenda një kohe të shkurtër do të hapim ambasadë në San Salvador dhe numri 17 i ambasadave tona do të rritet në 18 bashkë me kryekonsullatën tonë në Sao Paulo”.

Ai vuri në dukje se marrëdhëniet e Turqisë me vendet e rajonit janë zhvilluar.

“Edhe numri i ambasadave të vendeve të Amerikës Latine në Ankara për të njëjtën periudhë është rritur nga 6 në 16. Bashkë me ambasadën e Uruguajit në Ankara do të shkojë në 17. Bashkë me hapjen e ambasadave tona rritet edhe tregtia reciproke në çdo fushë. Po ashtu rritet edhe numri i destinacioneve të udhëtimeve të Turkish Arilines (THY). Sot kemi shkëmbyer edhe pikëpamjet rreth planit të THY për fluturime në Montevideo”, tha Çavuşoğlu.

Pasi bëri të ditur përpjekjet e Turqisë për paqen dhe objektivat e saj globale, Çavuşoğlu vazhdoi më tej: “Ne jemi të ngarkuar me shumë probleme në rajonin tonë, përfshirë luftën në Ukrainë. Vazhdojmë përpjekjet tona për paqe, sepse 60 për qind e konflikteve në botë janë në gjeografinë tonë. Ne nuk mund të lejojmë që krizat në rajonin të tonë të na shpërqendrojmë nga objektivat tona globale”.

“Ndodhemi për vizitë në Amerikën Latine për të ndërtuar së bashku të ardhmen me këtë qasje. Nëse punojmë së bashku, mund t‘i çojmë marrëdhëniet tona me të gjitha vendet e Amerikës Latine, veçanërisht me Uruguajin në një pikë shumë më të përparuar. Me këtë mendim falënderoj sinqerisht secilin prej jush që morët pjesë në hapjen tonë sot. Ky vend këtu nuk do të jetë hapur vetëm për shtetasit tanë, por do të jetë një derë e hapur edhe për miqtë tanë uruguaianë dhe të gjithë miqtë tanë”, tha Çavuşoğlu.

Ministri i Jashtëm i Uruguajit, Francisco Bustillo rikujtoi se në vitin 2023 do të lënë pas 90 vite të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Në kuadër të takimeve frytdhënëse që zhvilluam në mëngjes me Çavuşoğlun kemi ndarë vijën që do ndjekim në aspektin e zhvillimit të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Uruguajit. Në kuadër të bisedimeve dypalëshe që zhvilluam me Turqinë kemi vendosur që të ndërmarrim hapa konkretë në të ardhmen”, tha Bustillo.

Pas fjalimeve, Çavuşoğlu dhe pjesëmarrësit prenë shiritin e inaugurimit dhe realizuan hapjen e Ambasadës së Turqisë në Montevideo.

Në hapje, krahas ministrit Bustillo morën pjesë ministri uruguaijan i Shëndetësisë, Daniel Salinas si dhe shumë ambasadorë dhe punonjës shtetërorë. /aa