Çavuşoğlu në Egjipt: Palët treguan vullnet për forcimin e marrëdhënieve në shumë fusha

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se në bisedimet me homologun e tij egjiptian Sameh Shoukry palët kanë treguar vullnet për forcimin e marrëdhënieve në fusha të tilla si energjia, tregtia, transporti dhe diplomacia, transmeton Anadolu.

Çavuşoğlu ka folur në një konferencë të përbashkët për media pas takimit kokë më kokë me ministrin e Jashtëm egjiptian Shoukry dhe mes delegacioneve.

Në pyetjen se cilat tema u trajtuan në bisedime, Çavuşoğlu tha se ka shumë çështje që janë të nevojshme që të zhvillohen në marrëdhëniet dypalëshe.

“Duam të zhvillojmë bashkëpunimin tonë në fushën e energjisë, duam të hedhim hapa konkretë. Ka pasur disa shkëputje në çështjet e transportit për të rritur tregtinë. Duam t’i rigjallërojmë sërish këto. Duam t’i çojmë në nivelin më të lartë marrëdhëniet tona diplomatike”, tha Çavuşoğlu duke vënë theksin se janë fokusuar në shumë fusha.

– Mesazh për avancimin e marrëdhënieve ushtarake

Shefi i diplomacisë turke tha se duan të rifillojnë konsultimet për çështjet rajonale dhe dëshirojnë të rigjallërojnë konsultimet në nivel dypalësh për çështjet politike dhe ato rajonale.

“Në fushën ushtarake, si në të kaluarën ka pasur marrëdhënie të rregullta madje edhe në vitet kur marrëdhëniet tona diplomatike ishin të ftohta, por ka çështje që duhen rigjallëruar. Për shembull ministria jonë e Mbrojtjes, Shtabi ynë i Përgjithshëm e kanë ftuar Egjiptin në 3 stërvitje që do të zhvillohen në Turqi”, potencoi Çavuşoğlu.

“Duhet të intensifikojmë më tej punimet tona të përbashkëta edhe në këto fusha, si stërvitjet ushtarake”, tha Çavuşoğlu i cili shtoi se dëshirojnë të rigjallërojnë marrëdhëniet dypalëshe edhe në fushën ushtarake.

“Ka hapa që duhet të ndërmarrim në çdo fushë nga ekonomia në energji, nga politika e deri në arsim. Këto i diskutuam sot mes nesh. Në kohën më të shpejtë, kolegët tanë do të punojnë deri në takimin e ardhshëm për ndjekjen e kësaj. Edhe ne do të rishikojmë sërish këtë. Gjëja më e rëndësishme këtu sigurisht që është vendosmëria dhe vullnet i fuqishëm politik i cili është i pranishëm tek të dy palët. Pas kësaj hapat vijnë njëri pas tjetrit. Për këtë çështje, si në emër të të dy palëve por edhe në emër të vëllait tim Shoukry mund të them lehtësisht, se ne kemi një vendosmëri serioze”, deklaroi Çavuşoğlu.