Çavusoglu: Turqia kurrë nuk do t’i braktisë myslimanët e Arakanit

Mevlut Çavusoglu

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu tha se ata kurrë nuk do t’i braktisin myslimanët Rohinga në fatin e tyre.

Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të 76-të të OKB-së në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Turqia dhe Bangladeshi mbajtën një takim të nivelit të lartë nëpërmjet internetit mbi situatën e myslimanëve të Arakanit (Rohingya).

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu në një postim të bërë në llogarinë e tij në Twitter pas takimit tha: “Puna për kthimin vullnetar, të sigurt, dinjitoz dhe të qëndrueshëm të myslimanëve Rohingya duhet të vazhdojë. Ne kurrë nuk do t’i braktisim ata në fatin e tyre.”

Sipas OKB-së, ka më shumë se 700.000 refugjatë që janë detyruar të largohen nga Arakani dhe kanë kërkuar strehim në Bangladesh pas 25 gushtit 2017. Fëmijët përbëjnë gjysmën e refugjatëve në kampe.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë publikuar imazhe satelitore që kanë vërtetuar se qindra fshatra në Arakan janë shkatërruar.

Marrëveshja e nënshkruar midis qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit për kthimin e arakanasve në tokat e tyre mbetet jofunksionale në praktikë, pasi ato nuk mund të vërtetojnë statusin e të shpërngulurve.

OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e quajnë dhunën kundër myslimanëve të Arakanit “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Qeveria e Mianmarit, e cila ka kufizuar ashpër hyrjen e mediave dhe organizatave ndërkombëtare në provincën Arakan, deri më tani nuk ka arritur të përmbushë premtimet e saj në lidhje me kthimin e myslimanëve arakanas.

Myslimanët e Arakanit që kanë kërkuar strehim në Bangladesh dhe organizatat e të drejtave të njeriut janë të shqetësuar se kthimi i tyre në Mianmar pa mjedisin e nevojshëm të sigurt do të çojë në një spastrim të ri etnik.