Çavuşoğlu: Turqia nuk do të lejojë Greqinë të zgjerojë ujërat e saj territoriale në Detin Egje

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të lejojë zgjerimin e ujërave territoriale greke në Detin Egje, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk do të lejojmë zgjerimin e ujërave territoriale (greke) në Egje as edhe në 1 milje”, tha ministri Çavuşoğlu në një konferencë për media të fundvitit në kryeqytetin Ankara, duke iu përgjigjur raporteve se Athina planifikon të zgjerojë ujërat territoriale rreth ishullit të Kretës në 12 milje detare.

Duke përmendur vendimin e parlamentit turk të vitit 1995 lidhur me këtë çështje, Çavuşoğlu tha, “Ne paralajmërojmë Greqinë edhe një herë. Mos bëni heroizëm të rremë duke u besuar atyre që mund të mbrojnë kurrizin tuaj. Nuk do të përfundojë mirë për ju”.

Deklarata e vitit 1995 paralajmëron se nëse Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale përtej 6 miljeve, parlamenti do t’i japë qeverisë “të gjitha kompetencat”, përfshirët ato ushtarake, për të mbrojtur interesat e Turqisë.

Çavuşoğlu theksoi se deklarata “mbetet në fuqi sot”.

Duke komentuar takimin e djeshëm trepalësh në Moskë të shefave të mbrojtjes turke, ruse dhe siriane, si dhe të zyrtarëve të inteligjencës së tre vendeve, Çavuşoğlu njoftoi se Turqia vazhdon dialogun me Kombet e Bashkuara (OKB), SHBA-në, Rusinë, Irakun, si dhe me regjimin e Bashar al-Assadit të Sirisë.

“Unë gjithashtu do të takohem me (kryediplomatin rus, Sergey) Lavrov”, shtoi ai.