Çavuşoğlu: Turqia pret nga Finlanda dhe Suedia qëndrim të qartë kundër terrorizmit – VIDEO

“Kemi paraqitur në mënyrë mjaft të qartë të gjitha çështjet për të cilat jemi të shqetësuar, përfshirë kryesisht takimet e këtyre dy vendeve me organizatat terroriste PKK/YPG dhe anëtarët e saj”, tha Çavuşoğlu

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se në takimin e NATO-s u kanë shpjeguar vendeve anëtare mbështetjen e Suedisë dhe Finlandës për organizatën terroriste, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu foli për mediat turke pas takimit joformal të ministrave të Jashtëm të NATO-s. Ai nënvizoi se Turqia ka mbështetur prej kohësh politikën me dyer të hapura të NATO-s dhe shtoi se solidariteti i aleancës është shumë i rëndësishëm veçanërisht përballë kërcënimeve.

Duke rikujtuar se presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka ndarë me opinionin publik qëndrimin e Turqisë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO, Çavuşoğlu bëri të ditur se ka pasur jehonë të kësaj deklarate.

“Ne në takim kemi thënë në mënyrë mjaft të qartë të vërtetat e kësaj. Kemi paraqitur në mënyrë mjaft të qartë të gjitha çështjet për të cilat jemi të shqetësuar, përfshirë kryesisht takimet e këtyre dy vendeve me organizatat terroriste PKK/YPG dhe anëtarët e saj si dhe veçanërisht ndihmën me armë të kryer nga Suedia. Sigurisht që këtë aleatëve tanë ia kemi shpjeguar mjaft mirë me fotografitë dhe dokumentet e tjera që posedonim”, tha Çavuşoğlu duke shtuar se:

“Shpjeguam se këto vende dhe vendet që janë anëtare të NATO-s që aktualisht takohen dhe kanë mbështetur këto organizata terroriste dhe që bëjnë kufizime për eksportet ndaj Turqisë kryesisht në eksportet dhe produktet e industrisë së mbrojtjes, duhet të heqin dorë nga këto qëndrime, pasi kjo është në kundërshtim me frymën e aleancës”.

– “Ka ardhur propozim për të punuar për eliminim e shqetësimeve të Turqisë”

“Finlanda dhe Suedia vazhdojnë kufizimet ndaj Turqisë, kryesisht për lejet e eksporteve për industrinë e mbrojtjes”, tha Çavuşoğlu duke shtuar se “Është e papranueshme që një vend që synon të anëtarësohet në NATO të mos lejojë ose të bëjë kufizime mbi një vend aleat të NATO-s”.

Ministri turk vuri ë dukje se në takim Turqia ka shprehur shqetësimet dhe pritshmëritë e saj për këtë çështje dhe se këto vende kanë pasur propozime për eliminimin e shqetësimeve të Turqisë.

“Shqetësimet e Turqisë janë të hapura dhe të dukshme. U kemi thënë se nuk do të pranojmë ta kalojmë këtë vetëm pse PKK ndodhet në listën e terrorizmit. Ndërkohë që erdhi propozimi që ‘atëherë të kryejmë punime për të eliminuar shqetësimet tuaja”, tha Çavuşoğlu.

Ai potencoi se në proceset në vijim do të shohin se çfarë garancish do të jepen.

– “Deklaratat e ministres së Jashtme suedeze janë provokuese”

Në pyetjen lidhur me deklaratat e bëra dje nga ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, kryediplomati turk Çavuşoğlu tha:

“Fatkeqësisht deklaratat e deritanishme të ministres së Jashtme suedeze nuk janë konstruktive, përkundrazi vazhdon deklaratat provokuese. Por, deklaratat e ministrit të Jashtëm finlandez (Pekka Haavisto) janë mjaft të kujdesshme duke shprehur besimin se mund të zgjidhet dhe deklaron se kjo nuk mund të bëhet në një ditë. Por, as nuk shpreh qartë nëse do të bëhen apo jo”.

– “Duhet të ketë garanci absolute sigurie”

Pasi nënvizoi se Finlanda dhe Suedia duhet t’i japin fund mbështetjes së tyre ndaj organizatave terroriste Çavuşoğlu tha se: “Kur bëhen deklarata lidhur me këto vende duhet të ketë përgjigje se si do të eliminohen këto shqetësime të Turqisë sepse nuk mund të bëhet në mënyrën retorike ‘mirë e shikojmë këtë‘. Le të themi se u anëtarësuan, a do të ketë ndonjë garanci se nuk kthehen në politikat e tyre të vjetra? Jo nuk ka (garanci)”.

Ai tha se “Së pari, pas gjithë atyre që kanë bërë, as populli ynë nuk beson. Këtë e them kryesisht për Suedinë. Këtu duhet të ketë garanci absolute sigurie dhe kjo nuk është e vlefshme vetëm për këto dy vende por edhe për aleatët të cilët duhet t’i japin fund në mënyrë absolute mbështetjes ndaj organizatave terroriste. Po ashtu në mënyrë kategorike duhet të hiqen edhe ndalesat lidhur me lejet e eksporteve ose kufizimet e industrisë së mbrojtjes ndaj një aleati si Turqia”.

“Këtë nuk e them si një element për të bërë pazar në këtë proces, por e them si nevojë e aleancës, por pasiguria dhe shqetësimi për këto dy vende është e qartë. Kryesisht lidhur me Suedinë”, tha Çavuşoğlu. /aa