Shumë prindër mendojnë se, nëse fëmija ndihet i dashur, ai ka marrë gjënë më të rëndësishme që i nevojitet.
Dashuria është një bekim i madh… por vetëm ajo nuk mjafton.
Një fëmijë mund të rritet në një shtëpi të mbushur me dashuri, por të dalë prej saj me vullnet të dobët, me pak ndjenjë përgjegjësie dhe pa e ditur pse jeton apo çfarë dëshiron të bëhet në jetë.
Kjo ndodh sepse fëmija ka nevojë për diçka që shumë prindër dhe edukatorë mund ta neglizhojnë…
Ajo është kuptimi.
Sepse njeriu nuk jeton vetëm me bukë… dhe as vetëm me ndjenja.
Ai jeton edhe me një qëllim.
Që në vitet e para të jetës, fëmija fillon të bëjë pyetje që duken të thjeshta:
Pse falem?
Pse duhet të them të vërtetën?
Pse i ndihmoj të tjerët?
Pse studioj?
Nëse përgjigjja është gjithmonë:
“Sepse kështu bëjmë.” apo:”Sepse ta thashë unë.”
Atëherë fëmija mëson të bindet… por nuk mëson kuptimin.
Bindja që nuk mbështetet në vetëdije, sepse ajo dobësohet që në sprovën e parë.
Prandaj, Kurani ndërton fillimisht kuptimin përpara urdhrit.
Ndërton besimin përpara detyrimit.
Ndërton bindjen e brendshme përpara përgjegjësisë.
Prandaj, edhe Profeti (a.s) i edukonte shokët e tij duke ua bërë të kuptonin urtësinë e mësimeve, e jo thjesht duke i mësuar të zbatonin urdhrat pa i kuptuar ato.
Fëmija që e di pse bën një veprim, është më i qëndrueshëm se ai që di vetëm si ta bëjë atë.
Për këtë arsye, një nga dhuratat më të mëdha që prindërit mund t’u japin fëmijëve të tyre nuk është bollëku i gjërave materiale, por pasuria e kuptimeve dhe e vlerave.
Që fëmija të kuptojë se dija është adhurim.
Se puna është amanet.
Se sinqeriteti është forcë.
Se bamirësia dhe mirësia e lartësojnë njeriun.
Dhe se suksesi nuk është të jesh përpara të tjerëve…
Por të jesh më afër Allahut dhe të jesh sa më i dobishëm për njerëzit.
Kur ky fëmijë të rritet, nuk do të ketë nevojë që në çdo hap dikush ta mbikëqyrë.
Sepse brenda vetes do të ketë një busull që do ta udhëheqë.
Prandaj, pyetja që duhet ta shqetësojë çdo baba dhe çdo nënë nuk është:
A e ndiejnë fëmijët tanë se i duam? Por: A po u japim atyre një qëllim dhe kuptim për të cilin ia vlen të jetojnë?
Sepse dashuria i jep fëmijës ngrohtësi…
Ndërsa kuptimi i jep drejtim.
Njeriu mund të vazhdojë të ecë për shumë vite, nëse e di se drejt cilit qëllim po ecën.
Autor: Abdulkerim Bekkar
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com








