Anëtarët e Kombeve të Bashkuara shprehën zemërimin e tyre, pasi Siria mori presidencën e Konferencës për Çarmatimin në Gjenevë.
Ky zhvillim vjen vetëm pak javë, pasi Siria u akuzua se përdori armë kimike kundër qytetarëve të saj.
Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara e shumë vende të tjera perëndimore e kanë cilësuar të papranueshme presidencën e Sirisë, madje Uashingtoni tha se 28 maji do të mbahet mend si dita më e errët e Konferencës për Çarmatimin.
Vendet perëndimore i bënë thirrje Rusisë që t’i kërkojë Sirisë të heqë dorë nga drejtimi i Konferencës, por apeli u përball me heshtje.
Konferenca për Çarmatimin nuk është organizëm i OKB-së, por i zhvillon seancat e saj në ndërtesën e OKB-së në Gjenevë. Analistët thonë se, marrja e presidencës së saj nga Siria, një vend në luftë civile dhe që përdor armë kimike ndaj civilëve, është një katastrofë për OKB-në dhe imazhin e saj.
Ishte ky organizëm, që me shumë mund negocioi Konventën e Ndalimit të Armëve Kimike, e Siria është një prej firmëtarëve të saj.
Presidenca e Konferencës merret me rotacion dhe ndërrohet çdo 4 javë. Siria thjesht pason Zvicrën alfabetikisht, por presidenca e saj, veçse tejet ironike, është edhe tronditëse. Duhet një votim unanim i anëtarëve të Konferencës që të ndërrohet presidenca, e Siria zor se do të pranojë një votim të tillë apo të votojë kundër vetes.