Çmimi i naftës rritet sërish pas sulmeve raketore të rebelëve kundër Arabisë Saudite

Çmimet e naftës bruto u rritën me më shumë se një për qind, në mbi 120 dollarë për fuçi, pas një sulmi raketor në një objekt të shpërndarjes së naftës në Arabinë Saudite, sipas Reuters.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 1,62 dollarë, ose 1,4 për qind, në 120,65 dollarë për fuçi dhe nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor (WTI) përfundoi me 1,56 dollarë, ose 1,4 për qind më e lartë, në 113,90 dollarë.

Çmimi i të dyjave kishte rënë para sulmit me tre dollarë.

Të dy standardet shënuan fitimet e tyre të para javore në tre javë – Brent u rrit më shumë se 11.5% dhe WTI fitoi 8.8%.

Rebelët Houthi të Jemenit thanë se filluan dje sulmet ndaj objekteve saudite, ndërkohë që koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite tha se stacioni i shpërndarjes së karburantit të kompanisë ”Aramco” në Xhedah ishte shënjestruar nga një sulm.

Arabia Saudite tha se nuk do të mbajë përgjegjësi për ndonjë mungesë furnizimi me naftë në tregjet globale të shkaktuar nga sulmet e rebelëve në objektet e saj të naftës.

Rebelët lëshuan ​​raketa në objektet e ”Aramco” në Xhedah dhe drone në rafineritë ”Ras Tanura” dhe ”Rabigh”, tha zëdhënësi ushtarak i grupit.

Me stoqet globale në nivelin më të ulët që nga viti 2014, analistët kanë thënë se tregu mbetet i prekshëm ndaj çdo goditjeje të ofertës.

Edhe pak ditë më parë, çmimet e naftës ranë pasi eksportet nga naftësjellësi CPC i Kazakistanit rifilluan pjesërisht dhe BE-ja ndaloi vendosjen e një embargoje ndaj naftës dhe gazit rus, pasi anëtarët mbetën të ndarë për këtë çështje. /atsh