COVID dëmtoi tregun e punës, ONP: Pabarazia në shpërndarjen e vaksinave rrënoi vendet e varfra

Guy Ryder

Orët e punës të humbura gjatë pandemisë në vitin 2021 do të jenë të barabarta me 125 milionë vende pune me kohë të plotë.

Kështu deklaroi të mërkurën Organizata Ndërkombëtare e Punës, sipas të cilës përllogaritja tregon se tregu i punës nuk po rikuperohet sipas pritshmërive.

Shifra në fjalë është 25 milionë më e lartë se parashikimi i ONP-së i bërë në raportin e fundit të saj në qershor, e krijuar pjesërisht nga pabarazitë në procesin e vaksinimit mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra.

Globalisht, numri i orëve të punuara pritet të jetë 4.3 për qind më i ulët se niveli i para pandemisë, deklaroi drejtori i përgjithshëm i ONP-së, Guy Ryder.

Sidoqoftë, kur shifra në fjalë llogaritet duke u bazuar tek niveli i të ardhurave të vendeve ka 2.1 pikë përqindjeje diferencë: Vendet e pasura pësuan vetëm 3.6 për qind humbje kundrejt 5.7% që pësuan vendet e varfra.

Drejtori i organizatës tha se kemi të bëjmë me një rimëkëmbje me dy shpejtësi mes vendeve me të ardhura të larta dhe atyre me të ardhura të ulëta.

“Situata më shqetësuese ka të bëjë me rimëkëmbjen me dy shpejtësi që po shohim mes vendeve të pasura dhe të varfra. Kjo reflektohet në faktin se vendet me të ardhura të larta dhe me më shumë burime arritën të rikuperohen në vitin 2021, ndërsa ato me të ardhura të ulëta vazhdojnë të vuajnë pasojat e rënda të pandemisë”, thotë Guy Ryder, Organizata Ndërkombëtare e Punës.

Numri një i Organizatës Ndërkombëtare të Punës shtoi se vendet e varfra mund ta tejkalojnë hendekun në një tremujor nëse bëhet një shpërndarje më e drejtë e vaksinave. /euronews