Dashuri dhe mëshirë

Hoxhë Justinian Topulli

Marrëdhëniet ndër njerëzore, në veçanti ato familjare janë nga më të rëndësishmet në jetën e njeriut. Dhe ligjet janë vendosur pikërisht për të mbrojtur dhe rregulluar këto marrëdhënie. Sa më të rëndësishme të jenë këto marrëdhënie, po aq të rëndësishme janë edhe ligjet që lidhen me to.
Por, ndërkohë që një marrëdhënie pune apo tregtie mund të bazohet kryekëput në një aktmarrëveshje të ftohtë, që mbrohet me ligje dhe dispozita të caktuara juridike, marrëdhënia familjare është shumë më tepër sesa ligje dhe norma juridike, edhe pse ato nuk mungojnë as në këtë rast.
Marrëdhënia familjare në themel të saj ka besnikërinë, dashurinë, tolerancën dhe mëshirën. Shpesh normat juridike, edhe pse obligojnë palët për të përmbushur detyrimet e tyre që kanë karshi njëri-tjetrit, suksesi dhe mbarëvajtja e këtyre marrëdhënieve nuk varet vetëm prej tyre, por pikërisht më së shumti varet nga dashuria dhe mëshira. Aty ku mungon dashuria, është mëshira ajo që e arnon marrëdhënien, e aty ku gjendet dashuria dhe mirëkuptimi, çdo ligj është pothuajse i panevojshëm. Ndërsa aty ku mungojnë të dyja, hyn në veprim ligji, e kjo do të thotë se kësaj marrëdhënieje i ka ardhur fundi.
Allahu thotë në Kuran: “Dhe nga Argumentet e Tij është edhe se Ai krijoi për ju bashkëshorte nga lloji juaj, që të gjeni prehje tek ato, dhe bëri që mes jush të ketë dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (er-Rum: 21)
Kështu që përveçse duhet të njihen normat juridike islame, për detyrimet dhe të drejtat që ka në familje, së pari duhet edukuar vetja që t’i duam familjarët tanë, e nëse nuk mundemi, atëherë duhet ta mëshirojmë dhe tolerojmë njëri-tjetrin. Në një familje, në të cilën mungon dashuria dhe mëshira, vështirë se zbatimi i ligjit të përgjegjësive të secilit, mund të ndreqë diçka.

Nga: Hoxhë Justinian Topulli