Një delegacion i Hamasit mbërriti në Kajro për bisedime me zyrtarët egjiptianë mbi zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, tha sot grupi palestinez, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Hamasi tha se delegacioni i kryesuar nga shefi i tij në Gaza, Khalil al-Hayya filloi takimet pas mbërritjes të mërkurën me ndërmjetës nga Egjipti, Turqia dhe Katari dhe është planifikuar të zhvillojë bisedime me udhëheqës dhe zyrtarë nga fraksionet palestineze për të arritur qëndrime të unifikuara kombëtare mbi çështje të ndryshme.
Delegacioni ka zhvilluar takime të ndara gjatë dy ditëve të fundit në Ankara me shefin e inteligjencës turke, Ibrahim Kalin dhe ministrin e Jashtëm Hakan Fidan, ku diskutuan mbi zhvillimet në terren në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Hamasi tha se delegacioni shqyrtoi zhvillimet e fundit në negociata, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së armëpushimit, “veçanërisht detyrimin e pushtimit (izraelit) për të përmbushur të gjitha kërkesat e fazës së parë” dhe paraqiti një informim të detajuar mbi kushtet humanitare dhe të sigurisë në Gaza.
Bisedimet trajtuan gjithashtu zhvillimet në Kuds, përfshirë mbylljen e xhamisë Al-Aksa për besimtarët muslimanë dhe ndalimin e lutjeve, përfshirë lutjet e së premtes dhe të Bajramit, të cilat grupi i përshkroi si “precedent të rrezikshëm që kërcënon zbatimin e planeve të armikut për të kontrolluar dhe judaizuar xhaminë”.
Delegacioni diskutoi miratimin nga Parlamenti izraelit të një ligji që lejon ekzekutimin e të burgosurve palestinezë, duke paralajmëruar për implikimet e tij për mijëra të paraburgosur në burgjet izraelite. Marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi më 10 tetor, pas ndërmjetësimit nga Turqia, Egjipti dhe Katari sipas planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Gazën.
Që atëherë, Izraeli ka vazhduar shkeljet e marrëveshjes ndërsa Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka raportuar 713 palestinezë të vrarë dhe 1.940 të plagosur që nga armëpushimi.
Marrëveshja kishte për qëllim t’i jepte fund një lufte dyvjeçare izraelite që vrau më shumë se 72 mijë palestinezë, plagosi mbi 172 mijë të tjerë dhe shkaktoi shkatërrime të gjera në rreth 90 për qind të infrastrukturës civile, me kostot e rindërtimit të vlerësuara nga OKB-ja në rreth 70 miliardë dollarë.





