Dhjetëra mijëra protestojnë në Hagë kundër gjenocidit në Gaza

Dhjetëra mijëra persona marshuan në Hagë, duke kërkuar nga qeveria holandeze të ndërmarrë hapa më të fuqishëm për t’i dhënë fund gjenocidit të vazhdueshëm në Rripin e Gazës.

Protesta, e organizuar nga organizata për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Oxfam, u drejtua drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke deklaruar se situata në Gaza përfaqëson një “vijë të kuqe”.

Organizatorët vlerësuan se rreth 150,000 njerëz morën pjesë në demonstratë, të veshur me rroba të kuqe si simbol i vijës së kuqe që nuk duhet kaluar.

Me flamuj palestinezë dhe thirrje si “Ndalo gjenocidin”, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Mos mbyll sytë — vepro tani” dhe “Hesht kur fëmijët flenë, jo kur po vriten”.

Në thirrjet e tyre, protestuesit theksuan se populli i Gazës nuk mund të presë më dhe se Holanda duhet të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të ndalur gjenocidin izraelit. /mesazhi