Dosjet sekrete të kishës, prifti rrëfeu abuzimin seksual ndaj fëmijëve dhe nuk u arrestua kurrë

Lawrence Hecker

Katër kryepeshkopët e fundit të kishës katolike në Nju Orlins kapërcyen çdo cak për të fshehur një pedofil që është rrëfyer, por nuk është dënuar kurrë, ka zbuluar “The Guardian”.

Mes qindra faqesh të dosjeve sekrete kishtare, gazeta prestigjioze ka gjetur një rast të plotë dhe ekstrem ku kryeipeshkëvia e dytë më e vjetër në SHBA mbrojti pedofilin Lawrence Hecker.

Në vitin 1999, Hecker iu rrëfeu eprorëve të tij në kryeipeshkëvinë e Nju Orlinsit që kishte ngacmuar seksualisht ose ndarë një shtrat me disa adoleshentë që i kishte njohur gjatë punës së tij si prift i kishës katolike.

Vepra e rrëfyer prej tij është shtrirë në një hark kohor prej 15 vjetësh, nisi në mes të viteve 1960 dhe në fjalët e Hecker “ishte një kohë për ndryshime të mëdha në botë dhe në kishë dhe unë iu dorëzova energjisë së saj”. Në deklaratën që i është dorëzuar autoriteteve kishtare të cilat i shërbejnë një rajoni me gjysmë milioni katolikë, Hecker thotë: “Ishte një kohë kur unë neglizhova drejtimin shpirtëror, rrëfimin dhe më së shumti, lutjen e përditshme”.

Hecker ka rrëfyer ngacmimet ose abuzimin e 7 adoleshentëve në vitet 1966-1979, përfshirë “akte të hapura seksuale” ose “akte afektive seksuale” me të paktën 2 persona. Në raste të tjera, ai ka deklaruar prekje, masturbim të përbashkët, lakuriqësi ose ndarjen e shtratit.

Në rrëfimin e Hecker thuhet se kryepeshkopi i ndjerë i Nju Orlinsit, Philip Hannan foli me të për një akuzë abuzimi seksual në vitin 1988. Në 1996, pasuesi i tij, Francis Schulte, i cili gjithashtu ka ndërruar jetë mori një tjetër akuzë për veprimet e Hecker që organizata i cilësoi të pambështetura në prova.

Hecker e dha deklaratën në vitin 1999 kur një prej viktimave u ankua sërish në kryeipeshkëvi. Kjo e fundit e dërgoi priftin në një klinikë psikiatrike jashtë shtetit ku u diagnostikua si pedofil që arsyetonte, justifikonte dhe “s’mbante përgjegjësi për veprimet e tij”.

Klinika rekomandoi që kryeipeshkëvia ta ndalonte Hecker që të punonte me fëmijë, adoleshentë ose persona “të dobët”.

Por Hecker nuk ndaloi së punuari. Pas disa muajsh, kisha e lejoi të punonte derisa doli në pension në vitin 2002, pas një skandali ngacmimi seksual të klerikëve katolikë në kryeipeshkëvinë e Bostonit që nxiti reforma kishtare në të gjithë botën.

Kur avokatët e kryeipeshkëvisë nën presionin e skandalit të Bostonit raportuan emrin e Hecker mes klerikëve të tjerë, ata i informuan hetuesit e Nju Orlinsit vetëm për një rast të cituar në rrëfimin e tij. Rrëfimi i Hecker nuk u përmend aspak.

Autoritetet ligjzbatuese nuk e kanë dënuar kurrë Hecker edhe pse numri i akuzuesve të tij është rritur me kalimin e kohës. Pavarësisht politikave të transparencës që kisha katolike pranoi pas skandalit të Bostonit në vitin 2022, kryeipeshkëvia e Nju Orlinsit priti deri në vitin 2018 publikimin e një liste me emrat e priftërinjve dhe dhjakëve që konsideroheshin të dyshuar për abuzimin seksual të minorenëve përpara se të pranohej që Hecker ishte një grabitqar.

Kryeipeshkëvia ndaloi së dhëni pension Hecker në vitin 2020. /tvklan