Drejtori i Fordit, Farley: Shitjet e veturave elektrike do të përgjysmohen!

Drejtori i gjigantit të automobilave parashikon kolaps të shitjeve të automjeteve elektrike.

Shitjet në SHBA mund të bien në më pak se gjysmën, sipas fjalëve të drejtorit ekzekutiv të Fordit, Jim Farley.

“Blerësit nuk janë të interesuar për një veturë elektrike që kushton 75 mijë euro”, thotë Farley.

Veturat elektrike mund të përballen me një periudhë të vështirë në SHBA. Në fillim të muajit tetor është hequr subvencioni prej 7500 dollarësh për ata që blejnë një veturë elektrike.

Drejtori ekzekutiv i Fordit, Jim Farley, parashikon se kjo do të ketë pasoja dramatike për blerësit e automjeteve. Ai beson se më pak se gjysma e njerëzve, krahasuar me më parë, do të dëshirojnë të blejnë një veturë elektrike. Aktualisht, makinat elektrike zënë 12 për qind të tregut të automobilave në SHBA. Sipas Farleyt, tani kjo mund të bjerë në 5 për qind.

Ford ka një gamë të gjerë veturash elektrike dhe ky segment i kompanisë po operon me humbje. Tani, gjiganti i automobilave po përpiqet të mbajë të hapura fabrikat e automobilave dhe të baterive.

“Kemi pasur një politikë të parashikueshme për katër vjet. Tani politika ka ndryshuar. … Të gjithë duhet të përshtatemi dhe kjo, sipas mendimit tim, do të jetë e mirë për vendin, por do të jetë gjithashtu një stres tjetër”, deklaroi ai.

Shumë prodhues po detyrohen të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit. Porsche po rikthen modelet me benzinë, Stellantis po rikthehet tek motorët V8… Qeveri e re në Amerikë, zakone të reja. Nafta dhe benzina janë sërish “IN”.