Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, mohoi idenë se raporti i fundit i agjencisë për aktivitetet bërthamore të Iranit, i publikuar muajin e kaluar, ka qenë shkak për nisjen e sulmit ushtarak izraelit ndaj programit bërthamor të Republikës Islamike.
“Një raport për verifikimin bërthamor në Iran vështirë se mund të jetë baza për ndonjë veprim ushtarak,” i tha Grossi CNN-së. “Veprimet ushtarake, kushdo që i ndërmerr, janë vendime politike dhe nuk kanë lidhje me ato që ne raportojmë.”
Teherani më parë kishte sugjeruar se raporti dhe deklarata e IAEA-së se Irani ka shkelur detyrimet e tij mbi ruajtjen e sigurisë bërthamore, kishin “përgatitur terrenin” për sulmin izraelit.
Grossi theksoi se shumica e informacionit në raport “nuk ishte i ri,” dhe se IAEA ka paralajmëruar prej vitesh se Irani refuzonte të ndante të dhëna për aktivitetet e tij bërthamore.
“Në atë raport, gjithashtu theksova se, në këtë moment, nuk kemi asnjë tregues për një program sistematik në Iran për prodhimin e një arme bërthamore,” shtoi ai, duke theksuar se IAEA raporton vetëm për atë që verifikon vetë dhe nuk merret me spekulime.
Për pyetjen se sa kohë teorikisht do t’i duhet Iranit për të prodhuar një armë bërthamore, madje edhe një të papërpunuar, Grossi tha se është një gjë të kesh uranin e pasuruar të mjaftueshëm – raporti i IAEA-së kishte vlerësuar se Irani kishte uranin e mjaftueshëm, nëse do të pasurohej më tej, për nëntë bomba bërthamore – por gjë tjetër të kesh një kokë-bombe të gatshme për ta përdorur.
“Është e vërtetë që në fillim të viteve 2000 kishte disa aktivitete që atëherë u vlerësuan si të lidhura me zhvillimin e armëve bërthamore… por tani nuk po i shohim më këto,” tha ai, duke shtuar se diskutimi për një afat kohor do të ishte “thjesht spekulim.”
Megjithatë, Grossi përsëriti se Irani është i vetmi shtet jo-bërthamor që po pasuron uranin në nivelet që po i përdor. /mesazhi






