Ekziston një sëmundje shpirtërore shumë e rrezikshme, e cila ka filluar të përhapet në mesin e njerëzve. Është e domosdoshme të ndalemi te kjo sëmundje, të njohim shkaqet e saj, mënyrat e shërimit dhe rrugët e parandalimit.
Kjo është një sëmundje për të cilën ka paralajmëruar Kur’ani, madje Allahu ka mallkuar një popull për shkak të saj.
Është një sëmundje që nuk shihet me sy, por shfaqet qartë në sjelljet dhe qëndrimet e njerëzve.
Është sëmundja e mësimit me të keqen, e mpirjes së ndjenjës, apo më saktë: vdekja e zemrës përballë padrejtësisë dhe mëkateve.
Asgjë nuk e shuan natyrën e pastër dhe nuk e deformon të vërtetën si zakonimi me të keqen:
fillimisht e sheh dhe e refuzon,
pastaj mësohesh me të,
pastaj e toleron,
pastaj e justifikon…
dhe në fund e pranon.
Disa njerëz e shohin të keqen dhe e kundërshtojnë;
pastaj mësohen me të dhe nuk e kundërshtojnë më;
pastaj pajtohen me të;
pastaj e mbrojnë;
derisa ajo bëhet “normale” në sytë e tyre – Allahu na ruajt!
Muslimani mbetet në mirësi përderisa ka një ndërgjegje të gjallë dhe një zemër të ndjeshme, që dallon të mirën nga e keqja dhe reagon ndaj padrejtësisë.
Por kur njeriu sheh:
një atdhe të grabitur,
një padrejtësi që sundon,
një korrupsion të maskuar,
një pasuri publike të plaçkitur,
dhe një të keqe që paraqitet si e mirë…
dhe megjithatë nuk shqetësohet, nuk zemërohet për hir të Allahut, nuk i lëviz as fytyra nga padrejtësia – atëherë dije se kalbja ka depërtuar në thelbin e tij.
Sepse ka vdekur gjëja më e çmuar që ai ka:
zemra e tij – e cila është masa e njerëzisë së tij dhe çelësi i shpëtimit të tij në Ditën e Gjykimit.
Allahu thotë:
“Ditën kur nuk bëjnë dobi as pasuria dhe as fëmijët, përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër.”
Është e vërtetë se uzurpimi i pushtetit, mungesa e drejtësisë, vjedhja e pasurisë publike dhe legalizimi i saj janë rreziqe që shkatërrojnë shoqërinë dhe cenojnë qëllimet madhore të fesë: ruajtjen e fesë, jetës, mendjes, pasurisë dhe brezave.
Por duhet ta kuptojmë një të vërtetë të hidhur:
pushteti nuk është tjetër veçse pasqyrë e shoqërisë.
Shteti nuk e formëson shoqërinë aq sa shoqëria e formëson shtetin.
Janë moralet, bindjet dhe standardet e njerëzve ato që përcaktojnë natyrën e pushtetit.
Prandaj është thënë:
“Ashtu siç jeni, ashtu do të sundoheni.”
Nëse sundimtari është tiran, do të shohësh njerëz që shtypin njëri-tjetrin.
Nëse ai është hajdut, do të shohësh shoqëri që garon në vjedhje, ryshfet dhe mashtrim.
Kështu lind dhe përhapet zinxhiri i korrupsionit.
Prandaj ky është një thirrje për çdo dijetar, imam dhe thirrës të sinqertë:
të mos e kufizojë misionin e tij vetëm në çështje dytësore apo në këshilla të ftohta,
por të ringjallë zemrat e njerëzve,
të forcojë ndjenjën e tyre ndaj të keqes,
t’i mësojë të urrejnë padrejtësinë dhe ta kundërshtojnë atë.
Sepse Allahu nuk i bën padrejtësi askujt,
por ligjet e Tij nuk favorizojnë askënd.
Dhe ajo që po ndodh sot – nga tirania e tipit faraonik dhe lakmia e tipit karunian që po ndan dhe shkatërron vendet tona – mund të jetë pasojë e asaj që kanë bërë duart tona… dhe zemrat tona.
Allahu thotë:
“Druajuni një sprove që nuk do t’i godasë vetëm ata që kanë bërë padrejtësi nga mesi juaj.”
Ndërsa i Dërguari ﷺ ka thënë:
“Nuk ka një popull në të cilin bëhen mëkate, dhe ata kanë mundësi t’i ndryshojnë por nuk i ndryshojnë, veçse është afër që Allahu t’i përfshijë të gjithë me dënim.”
Shkruar nga Wenis El- Mebruk







