Dy metra me dy

Rafif El-Muhenna

Ndryshe nga çfarë thotë arsimi modern, unë nuk i kam privuar kurrë vajzat e mia nga nevoja e tyre për tu shtrirë në shtratin tone. Përkundrazi, sa herë që më dilte gjumi nga hapat e saj drejt dhomës tonë, unë i hapja krahët dhe e mirëprisja që ta kalojë me ne pjesën e mbetur të natës. Gëzimi im për praninë e saj mes nesh, ishte më i madh sesa gëzimi i saj, sado që hapësira e shtratit ngushtohej aq shumë, sa bëhej e mjaftueshme për ta larguar gjumin prej syve tanë.
Edhe tani, sa herë që ime bijë Mesa zbret nga dhoma e saj dhe deklaron se e ka të pamundur të flejë, unë e ftoj të vijë e të shrihet në dhomën tonë. Me tu shtrirë në shtratin tonë, atë e zë gjumi në paqe dhe siguri të plotë.
Sekreti i kësaj tërheqjeje dhe paqeje fshihet në shtratin e nënës, në atë hapësirë magjike dy metra me dy, aty ku fëmijët gjejnë atë që u mungon në këtë botë që rend me shpejtësi të frikshme.
Çfarë ia fal fëmijës atë paqe dhe qetësi magjike në atë shtrat? Mos është aroma e nënës, rrobave dhe frymëmarrja e saj pranë tyre?
Është pikërisht ai vend magjik, ai që i mundëson fëmijës të rikthejë rishtazi fëmijërinë e tij, e paralelisht ti kthejë edhe një të drejtë të jetës, pa pasur nevojë të rebelohet dhe pa kushte.
Fëmijët nuk i zë gjumi mbi shtratin e shenjtë të nënës, në fakt ata zhyten thellë dhe i dorëzohen fëmijërisë së tyre, sado të rritur të jenë tashmë. Ai vend i zhvesh nga ankthi i ditëve dhe u mundëson të pushojnë pa pasur nevojë të dihatin.
Fëmijët nuk vijnë të flenë gjumë në shtratin e nënës, po vijnë të rrëmojnë në kujtesën e tyre, në kërkim të pranimit të vetes, pranimit të frikërave, hezitimit, nevojave dhe lëkundjes së gjetheve të shpirtit të tyre në këtë jetë vjeshtore.
Sakaq, vetë nëna ndjen një gaz të fshehtë teksa përqafon trupin e fëmijës së saj, si të takoheshin për herë të parë; Ajo sikur hap librin e saj të mëmësisë për herë të parë dhe me metrin e duarve të saj, mat këtë trup të mbledhur kruspull pranë saj, atë që ditë pas dite zë më shumë hapësirë nga shtrati i saj.
Në çdo shtëpi gjendet një shtrat nëne, në të cilin, të gjitha ndjenjat njerëzore, si dashuria, malli, frika, stresi, lodhja, hezitimi, kaosi, zemërimi, rebelimi, brishtësia, përçartja … grumbullohen dhe fermentohen në një hapësirë dy metra në dy.

Rafif El-Muhenna, psikiatër sirian
Përktheu: Elmaz Fida