Mariam Abu Dagga, një gazetare e pavarur që punoi për disa redaksi, përfshirë Associated Press, u vra këtë mëngjes, më 25 gusht, gjatë një sulmi nga ushtria izraelite në kompleksin spitalor Nasser në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
“Ghaith, zemra dhe shpirti i nënës sime, të lutem mos qaj për mua, por lutu për mua, që të qëndroj e qetë.” Këto fjalë fillojnë letrën që gazetarja palestineze Mariam Abu Dagga i shkroi të birit 12-vjeçar, nga i cili iu desh të ndahej në fillim të luftës, kur ai u evakuua.
Në letrën, e cila u përkthye dhe u nda nga Patrick Zaki në rrjetet sociale, gazetarja i drejtohet drejtpërdrejt të birit: “Dua që ta mbash kokën lart, të studiosh, të jesh i ndritshëm dhe i veçantë, dhe të bëhesh një njeri i vlefshëm, i aftë të përballesh me jetën, dashuria ime.”
“Kur të kesh një vajzë, quaje Mariam”
“Mos harro se bëra gjithçka për të të bërë të lumtur…gjithçka që bëra ishte për ty,” vazhdon ajo.
“Kur të rritesh, martohu dhe ke një vajzë, quaje Mariam, si unë.”
Gazetarë të vrarë në Gaza, midis tyre Anas Al Sharif të cilin Izraeli e akuzon si udhëheqës të Hamasit
Moaz Abu Taha, një gazetar palestinez që ka punuar me disa media palestineze dhe ndërkombëtare, bëri një selfie me Mariam Dagga në Khan Younis. Të dy u vranë në sulmin e sotëm.
AP shpreh ngushëllimet e saj dhe thekson se për muaj të tërë gjatë luftës, Dagga shkonte rregullisht në Spitalin Nasser në Khan Younis për të raportuar, duke sjellë histori për fëmijë të uritur dhe të kequshqyer në Gaza.
Ajo nuk ishte e vetmja që dokumentonte urinë që shkatërronte Rripin e Gazës. Në fillim të gushtit, një sulm izraelit vrau gjashtë gazetarë të tjerë jashtë spitalit, midis tyre Anas al Sharif, një korrespondent i shquar i Al Jazeera në Gaza.
Dhe ai la një mesazh-testament për botim në rast vdekjeje, drejtuar të gjithëve: “Nuk kam hezituar kurrë të përcjell të vërtetën ashtu siç është, duke shpresuar se Zoti do të dëshmojë se kush heshtte dhe kush na e mbyti frymën.”
“Ti je dashuria ime, zemra ime, mbështetja ime, shpirti im dhe djali im – ai për të cilin e mbaj kokën lart me krenari. Qofsh gjithmonë i lumtur dhe mbaj një zë të mirë. Të lutem, Ghaith: lutja jote, pastaj lutja jote përsëri, dhe pastaj lutja jote përsëri”, përfundon letra e Mariam Abu Dagga-s. /tesheshi








