Egjipt: Miliona jetë janë në rrezik pasi lufta në Ukrainë po godet furnizimet me ushqime

Mohamed Maait

Ministri i Financave Mohamed Maait i bëri jehonë paralajmërimit të OKB-së se kriza mund të zgjasë me vite

Ministri i Financave i Egjiptit ka paralajmëruar se “miliona” njerëz mund të humbin jetën në të gjithë botën për shkak të krizës së çmimeve të ushqimeve, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, duke i bërë kështu jehonë paralajmërimeve nga OKB-ja dhe nga vendet e G7 pas rritjes së shqetësimeve për mungesën e grurit në mbarë botën.

Në një intervistë gjatë një vizite në Londër, Mohamed Maait paralajmëroi për një “pasiguri të ushqimeve” në mbarë botën. Megjithatë, ai këmbënguli se Egjipti kishte rezerva të mjaftueshme gruri për të rezistuar deri në fund të vitit.

“Kjo është diçka për të cilën duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm,” tha Maait. “Do të ndihemi të turpëruar nëse zbulojmë se miliona njerëz po vdesin për shkak të pasigurisë së ushqimeve. Ata nuk janë përgjegjës për këtë, ata nuk kanë bërë asgjë të keqe.”

Komentet e tij vijnë disa ditë pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi se konflikti në Ukrainë rrezikonte të zhyste “dhjetëra milionë” njerëz në uri.

“Nivelet globale të urisë janë në një nivel rekord”, tha Guterres. Lufta në Ukrainë, ndryshimet klimatike dhe pandemia e Covid-19 po kontribuojnë gjithashtu në një krizë që mund të zgjasë me vite, paralajmëroi ai.

Javën e kaluar, vendet e G7 nisën “Aleancën Globale për Sigurinë Ushqimore” me Bankën Botërore, për të bashkërenduar një përgjigje afatshkurtër ndaj kësaj krize. Grupi synon të rrisë furnizimet me ushqime, me plehra kimike dhe me karburante, si dhe të sigurojë mbështetje financiare për të ndihmuar vendet më të dobëta që të shmangin urinë.

Egjipti është importuesi më i madh në botë i grurit dhe aktualisht zbaton një program subvencionimi të bukës që i shërben pothuajse 70 milionë njerëzve. Deri në fillim të luftës, ky vend e merrte shumicën e grurit nga Rusia dhe Ukraina.

Mostafa Madbouly, kryeministri, tha këtë muaj se vendi kishte rezerva të grurit për katër muaj. Përveç kësaj, qeveria synon të blejë 6 milion ton grurë të kultivuar në vend. Megjithatë, ajo po kërkon burime të reja importi, duke përfshirë potencialisht Pakistanin dhe Meksikën.

Maait tha gjithashtu për Financial Times se ai ishte i bindur që Egjipti nuk do të binte në recesion këtë vit. “E përjashtoj mundësinë e përballjes me një recesion,” tha ai. “Egjipti ishte një nga vendet e pakta që mundi të rritej pozitivisht përgjatë dy viteve të Covid-19.”

Qeveria parashikon një rritje prej 5.5 për qind në vitin fiskal që nis në korrik.

Ministri ishte optimist se një paketë e re financimi tre-vjeçare, e kërkuar nga Kajro në muajin mars, do të dakordësohej me FMN. Diskutimet me fondin “janë duke shkuar shumë mirë”, tha ai. Megjithatë, ai shtoi se nuk është folur ende për shifra konkrete as nga qeveria, as nga FMN.

Qeveria ka bërë të ditur synimin e saj për të shitur disa asete shtetërore, duke përfshirë edhe disa kompani ushtarake, për të rritur të ardhurat.

Egjipti tashmë ndodhet në një pozitë të pasigurt si rezultat i rritjes së inflacionit në rang ndërkombëtar, gjë e cila ka rritur koston e huamarrjes për qeverinë. Inflacioni i brendshëm është rritur nga 5 përqind përpara fillimit të luftës, në rreth 14.5 përqind tani.

Maait tha se qeveria ishte ende duke planifikuar që të “racionalizojë” subvencionet e bukës, të cilat kushtojnë më shumë se 3 miliardë dollarë në vit – një perspektivë kjo e cila ishte ngritur që përpara shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, por që është vonuar.

“Pra, përderisa rritet kostoja e bukës dhe kostoja e prodhimit të bukës, rritet edhe kostoja e subvencionimit në buxhetin e shtetit… Nuk mund të vazhdojë kështu”, tha ai. Ndryshimi i subvencionimit të bukës “nuk është një veprim që do të ndërmerret menjëherë”, por “qëllimi është për të shkuar në këtë drejtim, gradualisht”.

Maait tha se Kajro po planifikon gjithashtu që të reformojë kreditë cash që merren nga miliona egjiptianë për ushqime, duke rishikuar listën e atyre që kualifikohen për këto kredi, në mënyrë që të sigurohen që të përfitojnë vetëm personat në nevojë.

Egjipti është vendi pritës i samitit të OKB-së për klimën COP27 këtë vit dhe Maait tha se, në javët e ardhshme, vendi do të bëjë publike objektivat e reja kombëtare për klimën, si dhe një plan të ri për financimin e gjelbër. /monitor