Egjipti bën thirrje për presionin ndaj Izraelit për të lejuar ndihmën humanitare në Gaza

Egjipti bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit për të lejuar qasjen në ndihma humanitare në Rripin e Gazës të goditur nga lufta, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Egjiptit njoftoi se kryediplomati Sameh Shoukry pranoi një telefonatë nga ministri britanik i Shtetit për Lindjen e Mesme, Lord Tariq Ahmad dhe ata diskutuan kushtet katastrofike humanitare në Gaza.

Shoukry theksoi domosdoshmërinë e “qasjes së plotë të ndihmave humanitare në Gaza”. ai u bëri thirrje palëve ndërkombëtare “të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të hequr pengesat për hyrjen e ndihmës”.

Egjipti, i cili kontrollon pikën kufitare Rafah me Rripin e Gazës, ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për pengimin e hyrjes së ndihmave humanitare në enklavën palestineze.

Shoukry tha se palestinezët po përballen me urinë, shënjestrimin pa dallim, si dhe shkatërrimin e shërbimeve dhe infrastrukturës.

Ai paralajmëroi kundër çdo sulmi tokësor izraelit në Rafah në Rripin e Gazës jugore, ku mbi 1.4 milionë palestinezë janë strehuar nga lufta.

Sipas njoftimit të ministrisë egjiptiane, të dy palët theksuan domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi sa më parë në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Hamasi, i cili besohet se mban më shumë se 130 pengje izraelite, kërkon fundin e ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit në këmbim të ndonjë marrëveshjeje të shkëmbimit të pengjeve me Tel Avivin.

Izraeli ka nisur një luftë në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor. Bombardimet izraelite që pasuan kanë vrarë të paktën 29.954 palestinezë dhe kanë plagosur mbi 70 mijë të tjerë me një shkatërrim në masë dhe mungesë të nevojave themelore.

Sipas OKB-së, sulmi izraelit ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.