Egjipti po intensifikon përpjekjet diplomatike me partnerë rajonalë dhe ndërkombëtarë për të parandaluar që Lindja e Mesme të rrëshqasë drejt një përballjeje më të gjerë me Iranin, tha sot ministri i Jashtëm Badr Abdelatty, duke paralajmëruar se një përshkallëzim i mëtejshëm do ta thellonte edhe më shumë një peizazh rajonal tashmë të brishtë, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për shtyp pas një takimi të komitetit ministror të Grupit të Kontaktit Arabo-Islam në Slloveni, Abdelatty tha se shmangia e përballjes me Iranin dhe dhënia përparësi zgjidhjeve diplomatike mbeten prioritet kryesor për Kajron, ndërsa rajoni përballet me kriza të mbivendosura.
“Rajoni tashmë është i mbingarkuar nga krizat dhe shmangia e rrëshqitjes drejt një konflikti më të gjerë me Iranin është thelbësore”, tha ai, duke theksuar koordinimin e vazhdueshëm me partnerë kyç, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Negociatat indirekte mes SHBA-së dhe Iranit nisën sot në Oman, në një përpjekje për të ulur tensionet në rritje lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Duke folur në lidhje me Gazën, ministri i Jashtëm egjiptian hodhi poshtë çdo përpjekje për të ndarë enklavën, duke i quajtur lëvizjet e tilla një “vijë të kuqe që nuk mund të pranohet”.
Ai tha se kushtet në Gaza mbeten jashtëzakonisht të brishta pavarësisht përparimit të kufizuar, duke akuzuar Izraelin për vendosjen e pengesave për lëvizjen e palestinezëve përmes pikës kufitare Rafah nga të dyja anët dhe për pengimin e hyrjes së ndihmës humanitare në territor.
Abdelatty paralajmëroi gjithashtu për një përkeqësim të situatës në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përmendur “politikat e vazhdueshme të shtypjes, frikësimit të civilëve palestinezë dhe konfiskimit të tokës me forcë” nga ana e Izraelit.
Egjipti, tha ai, vazhdon të nxisë vetëpërmbajtje në disa fronte, duke paralajmëruar se një përshkallëzim i pakontrolluar, qoftë i lidhur me Gazën, Bregun Perëndimor apo tensionet që përfshijnë Iranin, mund ta tërheqë rajonin në një konflikt më të gjerë dhe më të rrezikshëm.





