Erdogan: Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor në luftën kundër terrorizmit

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) foli në hapjen e Samitit të 15-të të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (ECO) që mbahet në Ashkabad të Turkmenisë.

“Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor për luftën kundër terrorizmit. Është e nevojshme të vazhdohet lufta kundër terroristëve pa bërë dallime mes tyre. Pasi rajoni të pastrohet nga organizata të tilla të përgjakshme si PKK, YPG [krahu sirian i PKK-së], FETÖ [organizata terroriste Fethullahiste], DAESH, do të përshpejtohet edhe procesi i qetësisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik”,- tha Presidenti Erdoan.

Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit turk tërhoqi vëmendjen për zgjidhjen e çështjes qipriote.

“Çelësi për zgjidhjen e çështjes qipriote është sigurimi i barazisë sovrane të turqve qipriotë dhe konsolidimi i statusit të barabartë ndërkombëtar,” theksoi Erdoan.

Presidenti Erdogan u bëri thirrje të gjitha vendeve mike dhe vëllazërore për një vlerësim pa paragjykime të vizionit që propozon Republika Turke e Qipros së Veriut (TRNC) për zgjidhjen e problemit në ishull.

Duke thënë se përpjekjet për zhvillimin e infrastrukturës së transportit në rajon vazhdojnë pa u ngadalësuar, Erdoani theksoi se vëllimi i tregtisë duhet të rritet në nivelin e 100 miliardë dollarëve.

Kurse në lidhje me situatën në Afganistan kreu i shtetit turk tha se dëshira e përbashkët është se zhvillimi i një qasjeje të re qeverisjeje në Afganistan, vend që po përballet me një krizë të rëndë humanitare dhe ekonomike. Erdoan shtoi gjatë fjalës së tij se për të parandaluar krizën e refugjatëve që do të prekë të gjithë rajonin duhet të ringjallet aktiviteti ekonomik.

Presidenti vuri në dukje se janë për t’u vlerësuar hapat e ndërmarra nga Azerbajxhani për të rritur prosperitetin në rajon.

“Ne si Turqi do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë”,- nënvizoi Erdoan.

Samiti i 15-të i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik (ECO) mbahet sot të dielën (28 nëntor), në Ashkabad nën kryesimin e Turkmenisë.

Gjatë samitit, liderët e vendeve do të shkëmbejnë mendime mbi temat aktuale dhe kyçe të bashkëpunimit ekonomik rajonal në hapësirën e ECO-s, si dhe do të përmbledhin rezultatet e presidencës së Turkmenisë dhe organet e saj statutore.

Në fund të samitit pritet miratimi i Deklaratës përfundimtare.

Samiti i mëparshëm i ECO-s u organizua në formatin e një video-konference më 4 mars të këtij viti.

ECO është një organizatë ekonomike rajonale ndërshtetërore. Ajo u themelua në vitin 1985 dhe bashkon 10 shtete: Azerbajxhan, Afganistan, Iran, Kazakistan, Kirgizi, Pakistan, Turkmeni, Turqi, Taxhikistan dhe Uzbekistan. /trt