Erdoğan: BE-ja duhet të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me marrëdhëniet me Turqinë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian (BE) që të ndërmarrin “hapa konkretë” për të zhvilluar lidhjet me Turqinë, një kandidate për anëtarësim në BE, si dhe të marrin një qasje strategjike për marrëdhëniet me Ankaranë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne si Turqi kemi shfaqur qëndrimin dhe përpjekjet tona parimore në favor të dialogut dhe diplomacisë me synimin për të zbatuar një agjendë pozitive”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, i cili erdhi në Turqi për një vizitë zyrtare.

“Tani e tutje, Bashkimi Evropian duhet t’i trajtojë marrëdhëniet me vendin tonë nga një perspektivë strategjike dhe të ndërmarrë hapa konkretë”, deklaroi presidenti turk.

Turqia ka qenë një vend kandidat për në BE që nga viti 1999 dhe bisedimet e saj të pranimit filluan në 2005, por vitet e fundit kandidatura e saj në thelb është ngrirë.

“Llogaritjet e vogla të disa vendeve anëtare nuk duhet të lejohen të dobësojnë BE-në dhe marrëdhëniet NATO-BE”, theksoi Erdoğan.

Ai nuk përmendi asnjë shtet anëtar në veçanti, por vitet e fundit Turqia ka akuzuar si Greqinë, ashtu edhe administratën greke qipriote, për bllokimin ecurisë së Turqisë drejt anëtarësimit në BE për arsye politike, si dhe për dobësimin e NATO-s duke krijuar “aleanca brenda aleancës”.

Deklaratat e fundit nga banka spanjolle BBVA janë një tregues konkret i besimit Turqisë, tha Erdoğan, duke iu referuar synimit të bankës për të blerë pjesën më të madhe të aksioneve të huadhënësit turk Garanti BBVA.

Herët gjatë ditës, Erdoğan mirëpriti Sanchez-in me një ceremoni zyrtare në kompleksin presidencial. Më vonë, Erdoğan dhe Sanchez morën pjesë në Samitin e Shtatë Ndërqeveritar Turqi-Spanjë.

Takimi i parë i Samitit Ndërqeveritar Turqi-Spanjë u mbajt në Stamboll në vitin 2009 dhe samiti i fundit mes dy vendeve u mbajt në Madrid në vitin 2018.

Vendet kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të mira dhe kanë punuar së bashku si bashkëkryetarë të nismës së Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së.