Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdogan: Do të vazhdojmë luftën kundër grupit terrorist FETO deri në çrrënjosjen...

Erdogan: Do të vazhdojmë luftën kundër grupit terrorist FETO deri në çrrënjosjen e plotë të tij

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se lufta kundër organizatës terroriste FETO do të vazhdojë derisa ajo të “çrrënjoset plotësisht”, teksa vendi shënon 10-vjetorin e përpjekjes së dështuar për grusht shteti të 15 korrikut të vitit 2016, transmeton Anadolu.

“Askush të mos ketë asnjë dyshim, lufta jonë do të vazhdojë derisa FETO të çrrënjoset plotësisht dhe ky rrjet tradhtar, i cili maskohet në çdo formë të mundshme, të shkulet njëherë e përgjithmonë”, shkroi Erdogan në platformën turke të mediave sociale NSosyal.

“Dhjetë vjet më parë, në natën e 15 korrikut, ne si komb shkruam së bashku një epope madhështore. Edhe një herë shpreh urimet dhe mirënjohjen time për pjesëtarët heroik të Forcave të Armatosura Turke që atë natë i qëndruan besnikë uniformës së nderuar të besuar nga kombi përballë komplotistëve terroristë të FETO-s që e tradhtuan atë uniformë, për të gjitha forcat tona të sigurisë, xhandarmërisë, policisë, njësisë speciale dhe oficerëve të inteligjencës, si dhe për secilin anëtar të kombit tonë fisnik, gra e burra, të rinj e të moshuar, që dolën në rrugë me flamuj në duar, me lutje në buzë dhe me dashuri për Turqinë në zemër, duke ua mohuar puçistëve kontrollin mbi sheshet publike”, tha ai.

Presidenti turk gjithashtu shprehu mirënjohjen për “të gjithë vëllezërit dhe motrat tona anembanë botës që ngritën duart në lutje duke thënë ‘Mos e gjettë asnjë e keqe Turqinë’, dhe derdhën lot mbi sexhadet e tyre”.

“Secili nga 253 dëshmorët tanë dhe secili prej 2.737 veteranëve tanë ka kujtime dhe histori të panumërta nga ajo natë. Zoti i mëshiroftë të gjithë dëshmorët tanë, të cilët janë vulat e përjetshme të ekzistencës së atdheut tonë dhe u dhëntë vend në Xhenet”, tha ai.

Tentativa për grusht shteti e 15 korrikut 2016 u krye nga një fraksion brenda Forcave të Armatosura Turke i lidhur me FETO-n. Komplotistët hapën zjarr ndaj civilëve dhe personelit të sigurisë dhe bombarduan institucionet shtetërore, duke vrarë 253 persona dhe duke plagosur mijëra të tjerë.