Erdoğan: Fitues në këto zgjedhje janë demokracia dhe populli

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pas zgjedhjeve të mbajtura në Turqi në fjalimin e tij në selinë e Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) në Ankara, tha se fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare janë demokracia dhe populli i Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Fitues i këtyre zgjedhjeve janë demokracia, vullneti i qytetarëve, fitues është populli”, tha Erdoğan para qytetarëve. Ai theksoi se populli në zgjedhjet me vendosmëri qëndroi në mbrojtje të lirisë dhe ardhmërisë së vet.

“Populli i cili dje me duarbosh ndaloi tanket, topat, avionët, helikopterët dhe puçistët e armatosur, po me ato duar sot qëndroi në mbrojtje të lirisë dhe ardhmërisë së vet. Fitoi Turqia, populli turk, por edhe të gjithë njerëzit e shtypur në botë”, tha Erdoğan.

Ai theksoi se do të vazhdohen përpjekjet e mëdha me qëllim që Turqia të realizojë të gjitha qëllimet e përcaktuara vitet e ardhshme. “Me fuqinë që ma keni dhënë në vendvotime, të gjithë së bashku do të realizojmë qëllimet e vendit tonë për vitin 2023”, tha presidenti turk, duke shtuar se Turqia vazhdon luftën kundër terroristëve.

“Turqia ka zgjedhur luftë vendimtare kundër të gjitha organizatave terroriste, nga PKK deri te FETO. Ne do të rrisim reputacionin ndërkombëtar të vendit tone”, tha Erdoğan.

Në fund, ai tha se vendi i tij do të vazhdojë të ngrihet dhe të hapërojë me guxim. “Ky rezultat është një konfirmim se ne do të jemi të drejtë ndaj të gjithë atyre që na shikojnë, nga terroristët deri te qarqet globale të interesit”, tha presidenti turk në fjalimin e tij para mbështetësve të mbledhur të AK Partisë.

Kryetari i Komisionit të Lartë Zgjedhor (YSK) të Republikës së Turqisë, Sadi Guven, konfirmoi fitoren e Recep Tayyip Erdoğan në zgjedhjet presidenciale në Turqi.

Sipas rezultateve jozyrtare të zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare në Turqi, presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan kryeson me 52.59 për qind të votave të fituara në bazë të 97.15 për qind të votave të numëruara.