Erdoğan, kryeministrit suedez: Ankaraja beson se Stokholmi do të përmbushë detyrimet e tij

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, në të cilën u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe globale, transmeton Anadolu.

Drejtoria e Komunikimieve e Presidencës së Turqisë njoftoi se gjatë bisedës telefonike, presidenti Erdoğan dhe kryeministri Kristersson shkëmbyen mendime mbi “procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, luftën kundër terrorizmit, marrëdhëniet Turqi-Suedi, si dhe çështjet rajonale dhe globale”.

Erdoğan i tha liderit suedez se Ankaraja beson se Stokholmi do të përmbushë detyrimet e tij që dalin nga memorandumi trepalësh në përputhje me frymën e aleancës pas pranimit të saj në NATO.

“Duke theksuar rëndësinë që Suedia të ofrojë mbështetjen e nevojshme për Turqinë në luftën e saj kundër terrorizmit, presidenti Erdoğan vuri në dukje se të dy vendet duhet të fillojnë të zbatojnë Mekanizmin e Bashkëpunimit të Sigurisë”, thuhet në deklaratë.

Ligji i miratuar nga parlamenti turk që miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO u botua në Gazetën Zyrtare të Turqisë më 25 janar, duke finalizuar ratifikimin e Protokollit.

Presidenti Erdoğan nënshkroi dekretin presidencial për pranimin e vendit nordik në aleancën ushtarake dhe miratoi protokollin përkatës. Ligji ka hyrë në fuqi.

Parlamenti turk më 23 janar ratifikoi anëtarësimin e Suedisë me 287 vota pro dhe 55 pro.

Pranimi i një anëtari të ri kërkon mbështetjen unanime të të gjithë anëtarëve të NATO-s dhe Hungaria është tani i vetmi aleat që nuk e ka ratifikuar ende pranimin e Suedisë.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO në maj 2022 pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës në fillim të atij viti.

Finlanda iu bashkua aleancës si anëtari i saj i 31-të në prill 2023.