Erdogan monitoron situatën në rajonet e prekura nga përmbytjet

Presidenti Erdoğan tha se shteti i ka mobilizuar të gjitha kapacitetet në zonat e prekura nga përmbytjet dhe me pasojë 11 qytetarë të vdekur.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan po ndjek nga afër ecurinë e punimeve për të eliminuar pasojat e përmbytjeve dhe rrëshqitjes së dheut që kanë ndodhur në rajonin e Detit të Zi, kryesisht në provincat Bartın, Sinop dhe Kastamonu për shkak të reshjeve të dendura.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës Presidenti Erdoan është gjithnjë në kontakt me ministrin e Punëve të Brendshme Sülejman Soylu, ministrin e Mjedisit dhe Zhvillimit Urban Murat Kurum dhe ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Adil Karaismailoglu, të cilët ndodhen me direktivën e tij në zonat e prekura nga përmbytjet. Anëtarët e qeverisë e informojnë menjëherë kreun e shtetit për situatën, procesin e evakuimit të qytetarëve dhe zhvillimet.

Krahas ministrave që ndodhen në rajon presidenti ka realizuar biseda telefonike edhe me prefektët dhe nënprefektët e provincave të prekura nga përmbytjet. Erdoan tha se shteti është mobilizuar me të gjitha mundësitë dhe ndodhet pranë qytetarëve për të shëruar plagët e shkaktuar nga fatkeqësia natyrore.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop ka shprehur ngushëllimet e tij për qytetarët e prekur nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryetarit të Kuvendit, kryeparlamentari Şentop ka biseduar në telefon me prefektët e rretheve Bartın, Sinop dhe Kastamonu, të cilët e informuan atë mbi situatën e fundit.

Për shkak të fatkeqësisë së shkaktuar nga përmbytjet në Kastamonu kanë humbur jetën 10 vetë, në Sinop 1 kurse në Bartın vazhdojnë punimet për të gjetur një njeri që rezulton i zhdukur. Në tre provincat e prekura nga fatkeqësia natyrore janë evakuuar 1.307 qytetarë. /trt