Erdogan: Ndihma humanitare për Somalinë në 10 vitet e fundit tejkalon 1 miliard dollarë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se “Si Turqi tregojmë përpjekje që me të gjithë vëllezërit në Afrikë të rrisim bashkëpunimin e bazuar në partneritet të barabartë dhe në mënyrë fito-fito”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdogan zhvilloi një konferencë të përbashkët për media pas takimit kokë më kokë me presidentin e Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud dhe takimit ndërmjet delegacioneve.

Erdogan shprehu kënaqësinë që ka pritur në Ankara presidentin somalez Mohamud dhe delegacionin e tij.

Me shprehjen e komunitetit ndërkombëtar, Somalia arriti në pikën e kolapsit në vitin 2011, tha Erdogan i cili shtoi se atë vit ata e vizituan Somalinë me një delegacion gjithëpërfshirës dhe dhanë mesazhin se ndodhen në anën e somalezëve.

Duke kujtuar se me rastin e kësaj vizite hapën ambasadën turke në Mogadishu, Erdogan tha: “Siç e dini ndërtesa jonë më e madhe e ambasadës në botë është në Somali. E kemi ndërtuar në një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë dhe një ambasadë të tillë nuk e kemi në asnjë vend tjetër. Ne jemi krenarë për ambasadën tonë këtu. Më pas, Türk Hava Yolları (Turkish Airlines) i dha fund vetmisë 20-vjeçare të Somalisë duke nisur udhëtime të drejtpërdrejta. Ne kemi vizituar Mogadishun tri herë në 2011, 2015 dhe 2016. Hapat që kemi ndërmarrë së bashku me vëllain tim të nderuar, i cili mori detyrën e presidentit mes viteve 2012-2017 ka ndihmuar që Somalia të rimëkëmbej sërish”.

Pasi vuri në dukje se kanë dhënë mbështetje dhe do vazhdojnë të mbështesin Somalinë në çdo fushë, nga shëndetësia te arsimi, nga infrastruktura te zhvillimi i kapaciteteve, Erdogan theksoi:

“Shumë nga institucionet tona, veçanërisht TIKA, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe AFAD vazhdojnë aktivitetin e tyre në terren. Jo vetëm institucionet tona zyrtare, por edhe një numër i konsiderueshëm i organizatave joqeveritare qëndrojnë pranë vëllezërve tanë somalezë me ndihmën e tyre. Spitali i Trajnimit dhe Kërkimor ‘Recep Tayyip Erdoğan’ dhe Fakulteti i Shkencave Shëndetësore në Mogadishu shëron problemet e vëllezërve tanë jo vetëm në Somali por edhe të atyre në vendet e rajonit”.

Erdoğan më tej tha se “Shuma e ndihmës humanitare dhe zhvillimore që kemi bërë për Somalinë në 10 vitet e fundit ka tejkaluar 1 miliard dollarë. Sot jam i kënaqur të shoh se Somalia ka bërë përparim të rëndësishëm në shumë fusha, veçanërisht në siguri dhe ekonomi. Uroj që zgjedhjet, të cilat rezultuan me ardhjen në mandatin e dytë të presidencës për vëllain tim, do të jenë të dobishme për Somalinë dhe vëllezërit tanë somalezë”.

“I uroj suksese qeverisë së re që do të marrë drejtimin nën udhëheqjen e vëllait tim të çmuar në periudhën e ardhshme. Turqia gjatë kësaj periudhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë vëllezërve të saj somalezë dhe do të vazhdojë të jetë zëri i Somalisë në arenën ndërkombëtare”, tha Erdogan.
Duke shtuar se gjatë takimit me presidentin e Somalisë, Mohamud, diskutuan në detaje marrëdhëniet Turqi-Somali, Erdogan tha se ranë dakord të vazhdojnë duke rritur bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe të forcojnë bazën kontraktuale të marrëdhënieve.

“Kemi arritur konsensus që pas formimit të qeverisë në Somali të ndërmarrim hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, njoftoi Erdogan duke vazhduar më tej:

“Vëllimi ynë i tregtisë dypalëshe u rrit me 31 për qind vitin e kaluar dhe arriti në 363 milionë dollarë. Sigurisht, duhet të kemi parasysh se në këto pika kemi ardhur nga niveli prej 2 milionë dollarësh në vitin 2003. Në takimet tona kemi diskutuar edhe për çështjet rajonale ku kemi theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe sigurisë së Somalisë për të gjithë Bririn e Afrikës. Deri më sot ne kemi përfunduar trajnimin e 5 mijë ushtarëve somalezë. Gjithashtu kemi dhënë trajnime për 1.000 policë të operacioneve speciale. Nga këtu me këtë rast përsëris vendosmërinë tonë si Turqi për të vazhduar kontributet tona për stabilitetin dhe sigurinë e Somalisë dhe në luftën e saj kundër terrorizmit”.

Presidenti Erdogan nënvizoi se Somalia është shembulli kryesor që tregon rëndësinë që Turqia i kushton zhvillimit ekonomik, paqes sociale dhe stabilitetit të kontinentit afrikan. “Si Turqi ne tregojmë përpjekje që të rrisim bashkëpunimin tonë me të gjithë vëllezërit tanë në Afrikë në bazë të partneritet të barabartë dhe fito-fito. Ne jemi të vendosur që t‘i vazhdojmë duke i zhvilluar marrëdhëniet tona me kontinentin”, tha ai.

Mes Turqisë dhe Somalisë nënshkruhet një marrëveshje

Në prani të presidentit Erdogan dhe presidentit somalez Mohamud mes dy vendeve u nënshkrua një marrëveshje.

“Marrëveshja për Mbështetjen e Grantit në Natyrë” mes dy vendeve u nënshkrua nga Murat Kurum, ministër i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike dhe Balal Muhammed Kusmen, ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Jashtme të Somalisë.