Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se organizatave terroriste nuk duhet t’u jepet mbështetje armësh.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë një vend i NATO-s. Ne jemi një vend i NATO-s. Ne duhet të jemi solidarë në NATO, por organizatat terroriste nuk duhet të marrin mbështetje të tilla prej këtu”, tha ai.
Gjatë qëndrimit të tij në Nju-Jork të SHBA-së për punimet e sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Erdogan iu përgjigj pyetjeve të gazetares Margaret Brennan drejtueses së programit “Face the Nation” në kanalin televiziv amerikan “CBS”.
Duke reaguar ndaj mbështetjes amerikane për organizatat terroriste, Erdogan tha: “Para së gjithash, një mbështetje e tillë me armë nuk duhet t’i jepet organizatës terroriste PKK/YPG/PYD.”
Gazetarja Brennan e pyeti Presidentin Erdoan se “A ka ndonjë dëshmi që armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara për grupet (terroriste), të cilat SHBA-të i konsiderojnë si aleatë në luftën kundër DAESH, po përdoren kundër Turqisë? A ka ndonjë kërcënim për ju nga këto grupe për shkak të mbështetjes së SHBA-së?”, ndërsa Presidenti Erdogan u përgjigj me këto fjalë: “Unë ia kam thënë këtë z. (ish-Presidentit amerikan Donald) Trump. Për momentin, kamionë me armë, municion dhe kështu me radhë po vijnë në rajon (në Siri dhe Irak). Ne u kemi thënë të gjitha këto atyre përmes agjencisë së inteligjencës dhe vazhdojmë të themi. Natyrisht që edhe në të ardhme do të vazhdojmë të bëjmë këtë.”
Ndërkaq në pyetjen se “A i keni paraqitur këto Presidentit amerikan Joe Biden?”, Erdogan tha: “Ne i kemi paraqitur të gjitha këto bashkëbiseduesve tanë. Aktualisht, kreu i inteligjencës sonë i ka paraqitur dhe është duke i paraqitur ato bashkëbiseduesve të tij në të njëjtën mënyrë. Ne nuk do të hezitojmë që t’i paraqesim këto informata edhe tani e tutje. Sepse ka disa fakte. Shtetet e Bashkuara janë një vend i NATO-s. Ne jemi gjithashtu një vend i NATO-s. Ndërsa duhet të jemi solidarë në NATO, organizatat terroriste nuk duhet të marrin mbështetje të tilla nga këtu. Ne duhet ta themi këtë.” /trt