Erdogan për luftën në Ukrainë: Pika e zgjidhjes besoj se do të jetë Turqia

Presidenti Recep Tayyip Erdogan në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë tha: “Është dëshira jonë që liderët t’i bashkojmë në Stamboll ose Ankara. Besoj se Turqia do të jetë pika e zgjidhjes për hapat që do të ndërmerren, veçanërisht në lidhje me pjesën lindore të Ukrainës”.

Presidenti Erdogan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në dalje, pas faljes së namazit të Bajramit në xhaminë “Buyuk Çamlica” në Stamboll.

I pyetur nëse do të ketë një takim tjetër në Stamboll në të ardhmen në lidhje me negociatat Rusi-Ukrainë, Erdogan bëri këto vlerësime: “Të shtunën këshilltari im, ambasadori Ibrahim Kalın, shkoi në Kiev së bashku me zëvendësministrin e jashtëm Z. Sedat (Onal). Ata zhvilluan bisedime në Kiev. Gjatë takimit të tyre me Zelenskiy dhe bashkëbiseduesit e tyre, ata morën disa dëshira (kërkesa) nga atje dhe me shumë gjasa do të kemi një bisedë me zotin Putin këtë javë. Në mënyrë të ngjashme, duke u takuar me z. Ushakov shpresoj se ai do ta përshpejtojë këtë proces. Ne pyesim veten se si mund të shpejtojmë të gjitha evakuimet këtu, për shembull, në Mariupol, si mund të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje, dhe ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë.

Ndërkaq, ata duan një mbështetje të caktuar nga ne në eksportin e drithërave, veçanërisht nga pala ukrainase apo ajo ruse. Ne do të përpiqemi t’i hapim rrugët duke i diskutuar sërish këto çështje me zotin Putin. Por në shkallën e parë ne jemi duke ndërmarrë çdo lloj hapash në këtë drejtim, veçanërisht në procesin e përshpejtimit të këtyre evakuimeve, shpresoj se do ta bëjmë. Por këtu, natyrisht që liderët duhet të bashkohen. Është dëshira jonë që t’i bashkojmë liderët në Stamboll apo Ankara. Në veçanti, unë besoj se pika e zgjidhjes për hapat që do të ndërmerren në lidhje me lindjen e Ukrainës do të jenë Turqia, Stambolli apo Ankaraja”, tha Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Duke shpjeguar se Putini është shumë i ndjeshëm për këto çështje, Erdogan tha: “Ai ka thënë tashmë se do të japë mbështetjen e tij më të mirë. Por ndërkohë, ju e dini, ka zhvillime shumë pozitive në Gjirin Persik. Së fundi, vizita jonë në Arabinë Saudite, shpresoj se është një pikënisje e rëndësishme në këtë drejtim. Marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Turqisë do të vijnë në një pozicion shumë të ndryshëm. Ne e diskutuam këtë në takimet tona dypalëshe me Mohammed Bin Salman.” /trt