Erdoğan: Turqia bën përpjekje intensive për t’i bërë presion Izraelit pas vendimit të OKB-së për armëpushim

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij po intensifikon përpjekjet për të ushtruar presion ndaj Izraelit në mënyrë që ai të pajtohet me vendimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim në Gaza gjatë Ramazanit, raporton Anadolu.

“Ne po bëjmë përpjekje intensive për të rritur presionin mbi Izraelin pas vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushim të menjëhershëm”, tha Erdoğan gjatë një mitingu zgjedhor në Istanbul.

Turqia këtë të diele do të shkojë në votime për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit e tjerë lokalë.

“Ne nuk do të ndalemi derisa palestinezët të rimarrin lirinë e tyre, si dhe tokat e tyre të pushtuara, dhe të rifitojnë shtetin e tyre të pavarur me Kudsin Lindor si kryeqytet”, shtoi ai.

Ai kujtoi se Turqia dje dërgoi një anije të tetë me ndihma në Egjipt që mbante 125 mijë kontejnerë me produkte ushqimore për njerëzit në Gaza.

“Ne po bëjmë gjithçka brenda mundësive dhe kapaciteteve tona, me të gjitha burimet që kemi në dispozicion, duke mos lënë asgjë pa bërë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Erdoğan.

Presidenti turk tha se teksa vendi i tij i përballoi me sukses sfidat në Siri, Somali dhe Karabak, po përpiqet gjithashtu të përballet “me gjyqin e Gazës me dinjitet”.

“Ata që i etiketojnë palestinezët e guximshëm që mbrojnë atdheun e tyre si ‘terroristë’ dhe ata që plotësojnë tekat e admiruesve të Izraelit, nuk mund të thonë asnjë fjalë të vetme kundër nesh”, tha ai.

Izraeli ka vrarë më shumë se 32 mijë palestinezë në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar i Hamasit tetorin e kaluar, në të cilin u vranë 1.200 persona. Bombardimi dhe pushtimi tokësor ka çuar në zhvendosje masive, shkatërrim dhe kushte uria në enklavën e rrethuar.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të hënën një rezolutë që kërkon një armëpushim të menjëhershëm për muajin e Ramazanit. Në votim kishte 14 vota pro dhe vetëm SHBA abstenoi.