Erdoğan: Turqia kaloi një tjetër “prag kritik” në prodhimin e avionit luftarak të gjeneratës së 5-të

Turqia kaloi një tjetër “prag kritik” në prodhimin e avionit të saj luftarak të gjeneratës së pestë, pasi avioni kombëtar KAAN kreu me sukses fluturimin e parë testues, tha sot presidenti i vendit Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

“Ne përjetuam një nga ditët krenare të industrisë turke të mbrojtjes. Avioni ynë luftarak vendas KAAN përfundoi me sukses fluturimin e tij të parë sot. Turqia kapërceu një prag tjetër kritik në prodhimin e një avioni luftarak të gjeneratës së pestë”, tha Erdoğan gjatë një takimi në provincën perëndimore Afyonkarahisar.

Erdoğan shtoi se avioni luftarak i Turqisë u ngrit në qiell, pavarësisht nga “ata që e krahasojnë atë me një radiator” dhe ata që përpiqen ta “sabotojnë” projektin.

KAAN, avion luftarak i prodhuar në Turqi, kreu me sukses fluturimin e parë testues sot, njoftoi Industria e Hapësirës Ajrore e Turqisë (TAI).

Avioni i parë luftarak i gjeneratës së pestë i prodhuar në vend synon të rinovojë flotën e ushtrisë turke.

Zhvillimi i fundit e bën Turqinë një nga vendet e pakta që zotëron këtë teknologji.

Avioni, projekti për të cilin filloi në vitin 2016, u lançua në mars 2023.