Erdoğan: Turqia po përgatitet për të pastruar rajonet veriore të Sirisë nga elementët terroristë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Turqia do të pastrojë nga elementët terroristë dy zona të Sirisë veriore pranë kufirit turk, në përpjekje për të eliminuar kërcënimin terrorist nga rajoni, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne po hyjmë në një fazë të re të vendimit tonë për të formuar një zonë të sigurt 30 kilometra thellë në jug. Ne po pastrojmë Tel Rifatin dhe Munxhibin nga terroristët”, tha Erdoğan në një takim në Ankara të grupit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK).

Erdoğan ka theksuar se derisa SHBA dhe Rusia dështuan në përmbushjen e angazhimeve të tyre për të siguruar një zonë të tillë të sigurt në rajonin kufitar, Turqia është e gatshme të ndërmarrë një operacion për të mbrojtur nga kërcënimi terrorist i YPG/PKK-së kombin dhe vendasit në veri të Sirisë.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë personave. YPG/PKK-ja është dega siriane e PKK-së.

Duke iu referuar ofertës së Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n, presidenti Erdoğan përsëriti kundërshtimin e Turqisë ndaj kësaj lëvizje, duke theksuar se të dy vendet kanë mbështetur dhe ofrojnë strehë të sigurt për terroristët, përfshirë për anëtarët e YPG/PKK-së dhe të tjerë.

Presidenti turk tha se Suedia dhe Finlanda akoma nuk i kanë dhënë Turqisë ndonjë përgjigje konkrete që përmbush pritjet e saj dhe theksoi se NATO është një organizatë e sigurisë dhe jo një organ që mbështet terrorizmin.

“Si mund t’i miratojë Turqia ofertat suedeze dhe finlandeze për NATO-n duke marrë parasysh se anëtarët e terrorit bredhin lirisht, mbajnë mitingje atje”, u shpreh Erdoğan, duke theksuar se Ankaraja pret që vendet evropiane të veprojnë me sinqeritet dhe të adresojnë shqetësimet e saj.

Duke shpërfill strategjinë e PKK/YPG-së për adoptimin e emrave të ndryshëm si SDF apo PYD, presidenti turk tha se disa qarqe po kërkojnë shfajësojnë PKK-në terroriste duke mashtruar njerëzit me etiketa të shumta, por “ata po mashtrojnë veten e tyre, jo Turqinë”.

Më 18 maj, Suedia dhe Finlanda zyrtarisht aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës që filloi më 24 shkurt.

Por Turqia, një anëtare e kahershme e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj ofertave të tyre për anëtarësim, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje për mbështetjen e grupeve terroriste si YPG/PKK dhe FETO, grupit përgjegjës për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016 në Turqi.

Pranimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO kërkon miratimin unanim nga të 30 vendet anëtare të aleancës. /aa