
Etiopia ka nisur zyrtarisht ndërtimin e asaj që pritet të jetë aeroporti më i madh në Afrikë, një projekt me vlerë 12.5 miliardë dollarë që po realizohet nga Ethiopian Airlines në qytetin Bishoftu.
Sipas autoriteteve, aeroporti i ri ndërkombëtar do të përfundojë në vitin 2030 dhe do të ketë katër pista, hapësirë për parkimin e 270 avionëve dhe kapacitet për rreth 110 milionë pasagjerë në vit. Kryeministri Abiy Ahmed Ali e cilësoi projektin si infrastrukturën më të madhe ajrore në historinë e kontinentit afrikan.
Aeroporti do të ndërtohet rreth 45 kilometra në juglindje të kryeqytetit Addis Ababa dhe do të ketë kapacitet më shumë se katër herë më të madh se aeroporti aktual kryesor i vendit, i cili pritet të arrijë kufijtë maksimalë të përballimit të trafikut në dy deri në tre vitet e ardhshme.
Ethiopian Airlines do të financojë rreth 30 për qind të projektit, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga huadhënës ndërkombëtarë. Punimet fillestare të terrenit tashmë kanë nisur, ndërsa kontraktorët kryesorë pritet të fillojnë ndërtimin në gusht të vitit 2026.
Kompania ajrore shtetërore etiopiane është më e madhja në Afrikë dhe ka shënuar rritje të vazhdueshme të të ardhurave, duke shtuar edhe disa linja të reja fluturimi gjatë vitit 2024–2025. /mesazhi



