Europol: Refugjatët ukrainas rrezikojnë të bien pre e bandave kriminale

Refugjatët nga Ukraina rrezikojnë të bien pre e bandave kriminale, paralajmëroi sot organi ligjzbatues i BE-së, Europol.

“Situata e tyre e dëshpëruar po shfrytëzohet nga bandat e trafikimit”, tha organizata me seli në Hagë.

“Gratë dhe fëmijët shihen si viktima ideale për bandat, pasi ato mund të shfrytëzohen seksualisht ose të detyrohen të lypin në rrugë. Fëmijët gjithashtu mund të birësohen ilegalisht”, tha Europol.

Sipas shifrave të OKB-së, mbi 3.5 milionë persona janë larguar tashmë nga Ukraina në vende të tjera. Autoritetet polake thonë se mbi 2.14 milionë persona kanë mbërritur në vendin e tyre, që është fqinj me Ukrainën. Ukraina kishte më shumë se 44 milionë banorë përpara se të fillonte sulmi rus. /atsh