Europol-Të paktën 544 të arrestuar në operacionin kundër barnave të falsifikuara

Sipas agjencive ligjzbatuese të BE-së, hetuesit evropianë arrestuan 544 persona në një operacion kundër ilaçeve të falsifikuara dhe dopingut.

”Substancat e sekuestruara kapin vlerën e 63 milionë euro (71 milionë dollarë)’’, njoftoi Europol.

Sipas raportit, janë sekuestruar droga të përdorura për doping dhe trajtime të dyshuara për sëmundjen e koronavirusit.

Megjithatë, në funksion të disponueshmërisë së gjerë të vaksinave, autoriteti policor evropian ka vërejtur një rënie të dukshme në tregtinë e këtyre preparateve.

”Barnat e falsifikuara dhe substanca të tjera përbëjnë një kërcënim për shëndetin publik. Ato prodhohen në laboratorë ilegale pa rregulla sigurie dhe pa respektim të rregullave të higjienës dhe shpesh përmbajnë substanca të dëmshme’’, paralajmëroi Europol.

Operacioni “Mburoja II” u zhvillua nga prilli deri në tetor dhe u drejtua nga hetues në Francë, Finlandë, Greqi dhe Itali. Në operacion u përfshinë autoritetet gjyqësore nga 26 vende.

Sipas Europolit, janë hetuar 33 rrjete kriminale dhe 37 kompani. Janë hapur rreth 1400 inspektime të veçanta dhe janë ekzaminuar më shumë se 6500 atletë.

Hetuesit u fokusuan në bandat që merren me ilaçe të falsifikuara që përmirësojnë performancën si dhe mbi ilaçet për trajtimin e kancerit, mosfunksionimit erektil dhe alergjive, si dhe qetësues dhimbjesh. /atsh