Evropa kundërshton gjerësisht masat antiCovid-19

Protestat në vendet evropiane kundër kufizimeve të reja Covid-19 u shndërruan në të dhunshme gjatë fundjavës, ndërsa rastet vazhdojnë të rriten në kontinent, sipas CNN.

Trazirat shpërthyen në Hagë të shtunën mbi masat e reja të qeverisë holandeze për koronavirusin.

Video nga vendi i ngjarjes tregojnë policinë duke sulmuar grupe demonstruesish.

Holanda rihyri në tri javë lockdown të shtunën e kaluar dhe tani po planifikon të ndalojë personat e pavaksinuar të hyjnë në disa vende.

”Pesë oficerë policie u plagosën gjatë përleshjeve në Hagë, ku një u dërgua në spital duke pësuar tronditje dhe dy pësuan dëmtim të dëgjimit nga fishekzjarrët me zë të lartë”, tha policia në një deklaratë.

“Grupi ndezi zjarre, kreu shkatërrime, sulmoi shoferët dhe hodhi gurë dhe fishekzjarrë ndaj oficerëve të policisë”, tha policia, duke konfirmuar se u arrestuan 19 persona.

Mijëra protestues morën pjesë në një marshim kryesisht paqësor në kryeqytetin Amsterdam të shtunën.

Transmetuesi publik holandez, NOS gjithashtu raportoi trazira në qytetin Urk dhe qytete në provincën jugore të Limburgut. Protestat pasojnë përleshjet e dhunshme të së premtes mbrëma në qytetin port të Roterdamit, gjatë të cilave policia u detyrua të qëllonte me armë për të shpërndarë turmën dhe 51 persona u arrestuan.

Rreth 40 000 persona u mblodhën të shtunën në rrugët e Vjenës në protestën më të madhe të vendit lidhur me koronavirusin deri më tani.

Policia u përpoq të qetësonte protestën dhe ndaloi së gjobituri ata që nuk mbanin maska.

Austria rifuti sot një bllokim të pjesshëm mbarëkombëtar dhe do t’i bëjë të detyrueshëm vaksinimin.

Franca dërgoi dhjetëra policë elitë dhe oficerë kundër terrorizmit në Guadeloupe të shtunën, pas plaçkitjeve dhe zjarrvënieve gjatë natës në një kundërshtim për lockdown.

Prefekti i ishullit të premten prezantoi urdhrin e qëndrimit në shtëpi pasi protestat kundër lejes së vaksinës u shndërruan në dhunë një natë më parë. Ministria e Brendshme tha se 31 persona ishin arrestuar.

Rreth 15 000 njerëz protestuan të shtunën në Zagreb kundër masave të qeverisë kroate për koronavirusin.

Nga e hëna, vetëm personat me pasaporta Covid mund të hyjnë në ndërtesat qeveritare dhe publike në Kroaci. /atsh