Evropa po përgatitet për “ndërprerje të mundshme” të energjisë gjatë dimrit

Janez Lenarcic

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic, ka deklaruar se blloku evropian po përgatitet për situata emergjente dhe ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të krizës së afërt energjetike në dimër, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Gjatë pandemisë së koronavirusit kemi mësuar se duhet të përgatitemi para se të fillojë një krizë dhe për këtë arsye tani po përpiqemi të parashikojmë krizat e ardhshme”, tha Lenarcic për grupin mediatik ‘Redaktionsnetzwerk Deutschland’.

Ai tha se ata po punojnë në skenarë të ndryshëm dhe parashikojnë se vendet anëtare në muajt e ardhshëm mund të kenë nevojë për ndihmën e BE-së për shkak të mungesës së energjisë ose ndërprerjeve të energjisë.

“Nëse vetëm një vend ose një numër i vogël i vendeve anëtare preken nga një incident i vogël si ndërprerja e energjisë elektrike, vendet e tjera të BE-së mund të furnizojnë gjeneratorët e energjisë përmes nesh, siç ndodh gjatë fatkeqësive natyrore. Megjithatë, nëse një numër i madh vendesh preken dhe vendet e BE-së duhet të kufizojnë dërgesat e tyre të ndihmës urgjente, ne jemi në një pozicion për të mbuluar nevojat nga rezerva jonë strategjike”, tha Lenarcic.

Vendet evropiane po përballen me çmime të larta të energjisë dhe mungesë të gazit për shkak të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë.

Në përgjigje të sanksioneve të paprecedentë nga Perëndimi, Rusia ka reduktuar furnizimet me gaz natyror në Evropë, nga e cila varet kontinenti evropian prej vitesh për të prodhuar energji elektrike dhe për të ngrohur shtëpitë.

Muajin e kaluar u ndaluan furnizimet e gazit përmes gazsjellësit ‘Rrjedha Veriore 1’ për një kohë të pacaktuar. /aa