Evropë hipokrite! Dënon gjenocidin në Gaza, por blen armët e Izraelit

Në krye të listës ndodhen Greqia, Rumania dhe Spanja…

Ndërsa retorika diplomatike e Brukselit mbushet me thirrje për armëpushim dhe respektim të të drejtave të njeriut, realiteti i faturave financiare tregon një fytyrë krejt tjetër të Bashkimit Evropian.

Dokumentet e fundit dhe raportet e vitit 2025 zbulojnë një paradoks tronditës: Evropa po financon makinerinë ushtarake izraelite në përmasa rekord, pikërisht në kohën kur akuzat për gjenocid në Gaza kanë arritur kulmin në gjykatat ndërkombëtare.

Në qendër të këtij skandali qëndron gjiganti Elbit Systems. Kompania më e madhe ushtarake e Izraelit nuk po pëson asnjë goditje nga izolimi diplomatik; përkundrazi, ajo po lulëzon.

Me një rritje prej 33 për qind të vlerës së aksioneve dhe kontrata që kapin vlerën e 25.2 miliardë eurove, Elbit ka gjetur te qeveritë evropiane klientët e saj më besnikë. Gati 69 për qind e eksporteve të saj përfundojnë në vendet e huaja, ku tregu evropian mban peshën kryesore.

Rasti i Greqisë është ndoshta shembulli më flagrant i kësaj hipokrizie. Ndërsa zyrtarisht Athina bën thirrje për paqe, Parlamenti grek miratoi së fundmi blerjen e sistemeve raketore “Puls” me vlerë deri në 700 milionë euro.

Këto janë të njëjtat armë që ushtria izraelite përdor për të rrafshuar Rripin e Gazës. Për më tepër, qeveria greke i ka dorëzuar Elbit-it menaxhimin e Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit në Kalamata përmes një kontrate marramendëse 1.4 miliardë eurosh.

Pas nuk mbeten as vendet që pozicionohen si “moraliste”. Spanja, pavarësisht deklaratave për embargo armësh, ka vazhduar të zbatojë kontrata me vlerë miliarda euro me firmat izraelite. Në Rumani, Elbit është instaluar prej dekadash, duke prodhuar pjesë për dronë dhe tanke që përgjakin Lindjen e Mesme.

Edhe më shqetësues është fakti se ky financim nuk vjen vetëm nga buxhetet shtetërore, por edhe nga kursimet e qytetarëve evropianë. Përmes të ashtuquajturave “fonde të gjelbra” apo investimeve etike, miliona euro janë derdhur në Elbit Systems nën petkun e tranzicionit klimatik.

Ky bashkëpunim i heshtur tregon se për udhëheqësit evropianë, “përvoja operacionale” e armëve izraelite – e fituar në terren kundër një popullsie civile – vlen më shumë se parimet universale.

Për sa kohë që paratë e taksapaguesve evropianë vazhdojnë të blejnë teknologji që testohet në gjakun e Gazës, thirrjet e Evropës për drejtësi do të mbeten asgjë më shumë se një shfaqje boshe teatrale.