Fëmijëria e të dërguarit të Allahut, a.s.

Në historinë njerëzore nuk do të gjesh ndonjë njeri që i është studiuar e hulumtuar jeta më shumë të Dërguarit të Allahut, alejhi selam. Çdo detaj i jetës së tij të bekuar është shënuar në regjistrat e historisë, gjë që nuk ka ndodhur me askënd tjetër para tij, dhe nuk do të ndodhë me askënd pas tij. Shekuj me radhë sheh miliona e miliarda njerëz, që studiojnë në hollësi historinë e tij të bekuar, prejardhjen e familjes së tij, fjalët dhe veprat e tij, deri te gjërat më të imta, si mënyra e të ushqyerit, të fjeturit, madje e sheh se si diskutohet edhe për numrin e qimeve të bardha në mjekrën e tij. Kjo është mbresëlënëse! Kjo nuk ka mundësi të ndodhë, përveçse me ndihmën dhe suksesin prej Allahut të Lartësuar, i Cili i premtoi të Dërguarit të Tij, alejhi selam, në Kuran, duke i thënë: “Dhe Ne ta ngremë lart famën tënde!”.(1)
S’ka dyshim se e gjithë jeta e të Dërguarit, alejhi selam, është e bekuar dhe e mbushur me mirësi, e kështu ishte edhe fëmijëria e tij. Kjo jo për shkak të përkujdesjes së mirë të babait të tij, ngase babai i kishte vdekur duke qenë i Dërguari, alejhi selam, në barkun e nënës së tij, por për shkak të përkujdesjes së Allahut dhe mëshirës së Tij. Allahu i Lartësuar ia kujton këtë mirësi të Dërguarit të Tij, alejhi selam, kur i thotë: “A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje). Dhe të gjeti të paudhëzuar e Ai të udhëzoi. Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi.”(2)
Prandaj, nëse e studiojmë jetën e të Dërguarit, alejhi selam, do ta shohim se jeta e tij, që nga fillimi e deri në mbarimin, ishte jetë e begatë, e mbushur me urtësi e begati. Ai i bekuar lindi në vitin e elefantit,(3) në ditën e hënë, në vitin 571, sipas kalendarit diellor. Ajo ishte ditë e bekuar, të cilën ditë i Dërguari, alejhi selam, e ka kujtuar gjatë tërë jetës së vetë, dhe e kujtojnë edhe sot myslimanët. Njëherë një njeri e pyeti të Dërguarin, alejhi selam, për agjërimin e ditës së hënë, e atëherë ai ia ktheu:“Kjo është dita në të cilën kam lindur, dhe po në këtë ditë më ka ardhur shpallja!”(4)
Momentin kur ai i bekuar erdhi në jetë e kishte përshkruar edhe nëna e tij, Emineja, e cila kishte thënë: “Kur e kam lindur, bashkë me të kam lindur edhe një dritë të madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit!”(5)
Myzhdeja e lindjes së tij u përhap shpejt në Mekë, akoma pa iu vënë emri, dhe njerëzit thoshin se kishte lindur jetimi i birit të Abdul Mutalibit.(6) Pavarësisht si e quanin njerëzit, Allahu e inspiroi gjyshin e tij, Abdul Mutalibin, që ta emërtonte atë me emrin Muhamed, emër që deri atëherë nuk ishte i njohur e as i përmendur ndonjëherë. Kush e dinte se ky jetim do ta ndryshonte fatin e botës, do të bëhej ai që i fton njerëzit në përkujdesjen e jetimit e skamnorit, do të bëhej ai që u thotë njerëzve: “Unë dhe kujdestari i jetimit do të jemi në Xhenet së bashku, sikur këta dy gishta!” – duke i bashkuar gishtin tregues dhe të mesmin.(7)
Mirëpo, atë kohë nga ky jetim largoheshin të gjitha gratë mëndesha, të cilat kishin ardhur të gjenin nga një foshnje që ta ushqenin me gji e ta merrnin me vete në viset malore, kjo kundrejt një pagese që ia bënin familjet e foshnjave. Kështu, të gjithë fëmijët e lindur atë vit gjetën nga një nënë që t’i ushqente e nga një familje ku të qëndronin, përveç Muhamedit, birit të Abdullahut.
Dielli i asaj dite gati sa s’kishte perënduar, dhe Halimja, nga fisi Benu Sad, nuk kishte gjetur asnjë fëmijë që ta ushqente, ndërsa fisi i saj e priste që të ktheheshin në vendin e tyre. Kështu, duke mos dashur të kthehej duarthatë, shkoi tek Emineja, dhe ia kërkoi prapë jetimin e saj, të cilin në mëngjes e kishte refuzuar. Ajo e mori jetimin e vogël në duar, duke thënë: “Do ta ushqej pavarësisht se është jetim e i varfër. Ndoshta Allahu do të na bekojë me të!”. Dhe me të vërtetë akoma pa u larguar nga lagjet e Mekës filloi të vërehej bereqeti i tij, i cili vinte nga çdo anë.(8)
Ky fëmijë i bereqetshëm ia ndryshoi jetën Halimes dhe familjes së saj. Rrugës për në shtëpi gomari i Halimes i printe karvanit, ani pse kur erdhën në Mekë me zor ecte, dhe mbetej i fundit në radhë. Delet e Halimes dhe të burrit të saj asnjëherë më shumë nuk kishin pasur qumësht, dhe një qetësi e mbuloi shtëpinë e tyre; kjo ngase Allahu i kishte begatuar me Pejgamberin, alejhi selam, në mesin e tyre.
Koha kalonte shumë shpejt, dhe jetimi i vogël në shtëpinë e Halimes rritej dita ditës. Sa rritej ai, aq shtohej edhe bereqeti dhe mirësitë përreth tij. Kur i mbushi dy vjet, dhe Halimja e plotësoi kohën e gjidhënies, dhe erdhi koha që Muhamedi të kthehej në shtëpinë e tij, në Mekë. Sa zor ishte ndarja prej një fëmije të tillë! Halimja do bënte çmos që ta bindte nënën e tij për ta lënë edhe për pak kohë Muhamedin tek ta. Këtë e përshkruan vetë Halimja, e cila thotë: “Atëherë vendosëm që t’ia dërgojmë nënës së vet. Ishim të pikëlluar dhe të mjerë, për shkak të ndarjes. Nënës së tij i treguam se çfarë mbarësie kishim në shtëpi me të, dhe i thashë: “Sikur ta lije te ne edhe për pak kohë, që të forcohet edhe më, do ta kishte më mirë se në qytet! Kam frikë se do t’i bëj keq ajri i qytetit!”(9) Kështu u bind edhe Eminja, dhe lejoi ta merrnin Muhamedin prapë me vete, dhe ai qëndroi aty deri në moshën katër-pesë vjeçare.
Halimja shpeshherë mendonte ta kthente Muhamedin te nëna e tij, shkaku që frikësohej nga xhelozia e të tjerëve, që mund të kishin për të. Si mos të kishin xhelozi kur e shihnin bukurinë dhe trupin e tij, oratorinë dhe mençurinë e tij! Po, ajo nuk mund të ndahej aq lehtë prej një fëmije të bekuar sikur ishte ai.
Një ditë ajo nuk mund t’i besonte veshëve të saj se çfarë po dëgjonte! Djali i saj erdhi duke vrapuar me shpejtësi, dhe thërriste: “Eja, oj nënë, shpëtoje Muhamedin! Dy persona me rroba të bardha e kanë shtrirë në tokë, dhe ia kanë larguar zemrën nga vendi, e po ia pastrojnë me ujë e borë! Eja, oj nënë, se Muhamedi ka mbetur i shtrirë përtokë!”.
Ajo me vrap shkoi te Muhamedi, dhe e kapi atë, duke e pyetur se çfarë kishte ndodhur. Ai i bekuar e tregoi rastin ashtu sikur e kishte treguar edhe vëllai i tij nga qumështi! Atë natë Halimja nuk kishte vënë gjumë në sy, saqë të nesërmen, qysh në mëngjes, ishte nisur për në Mekë, dhe Muhamedin e kishte kthyer te nëna e tij. Emineja nuk u frikësua shumë kur e dëgjoi rastin. Ajo e dinte se fëmija i saj nuk ishte i zakonshëm, dhe e dinte mjaft mirë se fati i këtij fëmije do të ishte madhështor.(10)
Pas një kohe, Emineja e mori djalin e saj Muhamedin, dhe shkoi në vizitë te dajallarët e babait të tij, Abdullahut(11) dhe njëkohësisht ta vizitonte edhe varrin e tij. Rrugës për në Mekë Emineja u sëmur dhe vdiq. Kështu ai i bekuar, me duart e tij të vogla prej gjashtëvjeçari, e varrosi nënën e tij, dhe u kthye në Mekë, i mërzitur, pa të dy prindërit dhe pa ndonjë vëlla ose motër që të luante me të.
Kështu, përkujdesjen për të e mori përsipër gjyshi i tij Abdul Mutalibi. Ai plak i urtë dhe me autoritet, që ulej përskaj Qabesë dhe gjykonte mes fiseve arabe, nga dashuria e madhe që kishte për nipin e tij, ia kishte bërë një vend afër vetes, e afronte dhe nuk e largonte për asnjë moment.
Përkujdesja e gjyshit e përcolli të Dërguarin, alejhi selam, deri në moshën tetë vjeçare, atëherë gjyshi i tij, që bënte çmos që nipi mos ta ndiente mungesën e prindërve, vdiq.(12) A e dini se cili ishte amaneti i tij i fundit? Mund ta merrni me mend se amaneti i tij ishte përkujdesja për Muhamedin. Dhe, këtë amanet ai ia la djalit të tij, Ebu Talibit, i cili e afroi nipin e tij dhe u kujdes për të më mirë se për fëmijët e vet.
Nga dashuria e madhe që Ebu Talibi kishte për Muhamedin, atë nuk e ndante prej vetes asnjëherë. Njëherë, duke u shëtitur rrugëve të Mekës, e shohin se kishte ardhur një parashikues, e arabët i dërgonin fëmijët tek ai, për t’i parë cilësitë e fëmijëve, e në bazë të tyre për t’i informuar ata për fatin e tyre në të ardhmen. Kështu, kur Ebu Talibi shkoi aty me Muhamedin dhe me fëmijët e tjerë, akoma pa hyrë brenda, parashikuesi filloi të bërtasë: “Atë djalë, atë djalë, silleni këtu! Për Zotin çështja e fatit të tij do të jetë e madhe!”. Atë ditë e gjithë Meka fliste për Muhamedin!
Ebu Talibi, nga frika që e kaploi për nipin e tij, iku së bashku me të, dhe u kthyen në shtëpi. Frikësohej se mos do ta godiste diçka nga sytë e njerëzve, prandaj nuk largohej asnjëherë prej tij, flinte me të dhe e ushqente me duart e veta.(13)
Cilësitë e këtij fëmije të bekuar nuk fshiheshin. Ato i dallonte çdo njeri! Kur Ebu Talibi shkoi në Sham, së bashku me Muhamedin, prifti Behira porsa e pa një re mbi karvanin e kurjeshëve, e dinte se në mesin e tyre ishte dikush i bekuar. Kur e pa Muhamedin, qëndrimin e këtij fëmije të pjekur para kohe, mënyrën e të ushqyerit e të folurit të tij, ai i tha Ebu Talibit: “Kush është ky?” “Ai është djali im!” – menjëherë ia ktheu Ebu Talibi. Atëherë Behira tha: “Jo! Këtij djali nuk i takon që ta ketë babanë gjallë!”. Dhe e këshilloi Ebu Talibin që ta ruante atë, sidomos nga hebrenjtë, ngase fati i këtij djaloshi nuk është sikurse i fëmijëve të tjerë!
Kështu u kthyen në Mekë, e dashuria e Ebu Talibit për nipin e tij rritej çdo ditë e më shumë. Ky djalosh me edukatë e moral, i mbushur me begati, të cilit çdo ditë e më shumë i dilnin në pah cilësi të mira e të pastra, në mesin e arabëve u bë i njohur me epitetin “I Sinqerti – Besniku”.
Kjo ishte fëmijëria e të Dërguarit, alejhi selam, i cili qëkurse ishte fëmijë, u përgatit nga ana e Allahut të Madhëruar për një mision të madh, prandaj edhe ai i bekuar thoshte: “Mua më ka edukuar Zoti im, në formën më të mirë!”14.
Misioni i tij ishte edukimi i të tjerëve në formën që Zoti e kishte edukuar atë. Këtë mision e nisi pikërisht prej Aliut, djalit të Ebu Talibit, xhaxhait të tij. Kjo nuk ishte një rastësi, por nga kjo buron një urtësi e madhe, ngase i Dërguari i Allahut, alejhi selam, kishte për qëllim që të mirën ta kthente me të mirë. Ashtu sikurse Ebu Talibi u përkujdes për të Dërguarin, alejhi selam, kur ky ishte fëmijë, tashmë kishte ardhur koha që i Dërguari t’ia kthente me të mirë, dhe t’ia lehtësonte sadopak barrën xhaxhait të tij, duke u përkujdesur për njërin prej fëmijëve të tij të shumtë.
Kështu ai i bekuar e nisi misionin e tij me edukimin e rinisë, duke i ftuar ata drejt parimeve të besimit dhe të moralit të mirë. (vazhdon)

_____________________________
1 Inshirah, 4.
2 Duha, 6-8.
3 Hafidh bin Kethir Ed Dimeshkij, El Bidaje ve En Nihaje, (Bejrut: Daar El Kutub El Ilmijeh, 1985, vll. I), f. 232.
4 Muslimi, 167.
5 Safiju Rrahman El Mubarekfuri, Nektari i vulosur i Xhenetit, (Prishtinë: Gjurma, 2018), f. 53.
6 El Kebsij, Shejh Ahmed, “Jetim beni abdul mutalib”.
02/10/2006. http://www.wata.cc/forums/archive/index.php/t-336.html (parë për herë të fundit më: 11/06/2023).
7 Muslimi, 2983.
8 Halil Mahmud Es Simadij, Atfaal haule Resul, (Kairo, Daar El Marafah, 2021), f. 11.
9 Safiju Rrahman El Mubarekfuri, Nektari i vulosur i Xhenetit, 55. 10 Shih: Halil Mahmud Es Simadij, Atfaal haule Resul, f. 13!
11 Imam Shemsudin Ahmed bin Othman Edh Dhehebij, Sijeru Alam En Nubela, (Beirut, Er Risaleh, 1998, v. I), f. 54.
12 Muslim Ejnas, “Tufuletu Resul”. 19/08/2021. https://mawdoo3.com (parë për herë të fundit më 11/06/2023).
13 Shih: Halil Mahmud Es Simadij, Atfaal Haule Resul, 16!14. Hadithin e shënon Imam Sheukani në “El Fevaid El Mexhmuah” (1020).

Mr. Besim Krasniqi
/islamgjakova