Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Forcat izraelite arrestojnë 17 palestinezë në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite arrestojnë 17 palestinezë në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite kanë arrestuar 17 palestinezë, përfshirë një grua, gjatë bastisjeve në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.

Burime lokale thanë se trupat izraelite hynë në qytetin Yaabad, në jugperëndim të Jenint dhe ndaluan tetë palestinezë pas kontrollit të shtëpive si dhe shtuan se forcat izraelite arrestuan edhe tetë palestinezë të tjerë gjatë bastisjeve të ngjashme në Nablus.

Në Qalqilya, trupat izraelite arrestuan një grua pasi bastisën shtëpinë e saj dhe kryen plaçkitje brenda shtëpisë. Në veri të Bregut Perëndimor, forcat izraelite kryen bastisje në qytetin Tammun, në jug të Tubasit, por nuk u raportuan arrestime.

Në jug të Bregut Perëndimor, ushtria hyri në fshatin Marah Rabah, në jug të Betlehemit, ku kontrolloi disa shtëpi. Në lindje, forcat izraelite mësynë kampin e refugjatëve Aqabat Jabr, në perëndim të Jerikos, ky kryen operacione të ngjashme.

Këto bastisje janë pjesë e operacioneve të vazhdueshme ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat rregullisht përfshijnë arrestime dhe kontrolle shtëpish.

Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023, sipas të dhënave palestineze, sulmet nga ushtria izraelite dhe kolonët në Bregun Perëndimor kanë vrarë të paktën 1.133 palestinezë, kanë plagosur rreth 11.700 të tjerë dhe kanë çuar në gati 22 mijë arrestime.

Në një opinion historik në korrik të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.