Ford dhe Lincoln bëjnë thirrje për “tërheqjen e disa makinave, dyert e të cilave mund të hapen gjatë vozitjes”

Ford dhe Lincoln po tërheqin 45,173 automjete për një problem mjaft të pazakontë, dyert që mund të hapen gjatë vozitjes.

Sipas Administratës Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada, Ford Fiesta 2015, Ford Fusion 2016 dhe Lincoln MKZ 2016, kanë një komponent te shuli i derës, që mund të thyhet, dhe nëse kjo ndodh dera hapet, duke rritur kështu rrezikun për lëndim ose përplasje.

Qeveria tha se shuli i derës te ai model veturash, është i ndjeshëm ndaj plasaritjes dhe zonave me temperatura të larta.

Kjo shpjegon pse tërheqja e tyre është fokusuar në veturat e shitura ose regjistruara në vende të ngrohta si Alabama, Arkansas, Arizona, California, Florida, Georgia, Hawaii, Luiziana, Mississippi, New Mexico, Nevada, Oklahoma, Oregon, South Carolina, Texas, Utah, Washington,….

Siç bëhet e ditur nga mediat, Ford u bë i vetëdijshëm për një defekt të mundshëm në gusht.

Kjo bëri që prodhuesi i automjeteve të rishikonte regjistrat për modelet Fusion, Fiesta dhe MKZ, duke përdorur të dhënat e dërgesës, për të identifikuar kohën e nevojshme për rregullimin e shulit të derës me defekt.

Deri më tash Ford nuk është në dijeni të ndonjë lëndimi ose aksidenti për shkak të defektit.

Pronarët që posedojnë një model veture të tillë, do të njoftohen me postë, dhe do t’u kërkohet ta dërgojnë veturën e tyre te një tregtar, i cili do të shikojë kodet e datës së mbylljes së derës për të parë nëse janë nga “korniza kohore e dyshimtë”.

Nëse janë, të katër shulat e dyerve do të ndërrohen pa pagesë.