Ford pritet të bëjë ndryshime afatgjate

Drejtuesit e Ford kanë treguar se janë të gatshëm të zhvillojnë bisedime me përfaqësuesit e punëtorëve mbi ndryshimet e planifikuara strukturore në fabrikat e prodhuesit amerikan të veturave në Gjermani, tha të shtunën kreu i këshillit të punëtorëve në fabrikën e Ford-it në Këln.

Me 20 janar, Ford tha se kalimi i tij i planifikuar në prodhimin e veturave elektrike do të kërkojë ndryshime strukturore të paspecifikuara, duke shkaktuar frikën e shkurtimeve të vendeve të punës në vendet e tij të prodhimit gjerman.

Ford u angazhua për një linjë tërësisht elektrike në Evropë deri në vitin 2030 dhe udhëheqja e saj në SHBA ka përmendur vazhdimisht se veturat elektrike kërkojnë më pak punë. Zyrtarët gjermanë të sindikatës thanë të mërkurën se Ford do të vendosë deri në mes të shkurtit se sa vende pune do të shkurtojë në përfaqësitë e saj në Evropë, raporton Reuters.

“Menaxhmenti i Ford ka treguar gatishmërinë e tyre për të biseduar,” tha Benjamin Gruschka, i cili është i lidhur me sindikatat IG Metall, në një konferencë për media në Këln. Ai tha se nuk ishte rënë dakord asnjë datë për bisedime dhe se Ford nuk kishte dhënë ende detaje se çfarë përfshin plani i tyre i ristrukturimit.

Një zëdhënës i Ford me bazë në Gjermani nuk pranoi të komentojë të shtunën. Sindikata IG Metall ka thënë se po përgatitej për një skenar më të keq për fabrikën e Këlnit prej deri në 2,500 shkurtime të vendeve të punës në zhvillimin e produktit dhe 700 të tjera në administrim.

Gruschka tha gjithashtu se punëtorët e Ford ishin gati të kundërshtonin çdo shkurtim, por nuk pranoi të specifikonte detaje tjera.