Franca dënon sulmin në xhami në Siri: “Strategji e qëllimshme destabilizimi”

Franca e dënoi sot sulmin “terrorist” në një xhami në Siri, duke e quajtur “strategji të qëllimshme për destabilizimin” e vendit dhe të “autoriteteve tranzitore”, transmeton Anadolu.

“Franca e dënon me fjalët më të ashpra sulmin e kryer sot në Xhaminë ‘Imam Ali’ në Homs, ku raportohet se të paktën tetë besimtarë humbën jetën. Ky akt terrorist i neveritshëm, ashtu si ai që kishte në shënjestër Kishën ‘Mar Elias’ në Damask në qershorin e kaluar, bën pjesë në një strategji të qëllimshme për ta destabilizuar Sirinë dhe autoritetet tranzitore”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në deklaratë thuhet se Franca i dënon sulmet që synojnë të “përhapin terror dhe të minojnë përpjekjet në vazhdim” për vendosjen e paqes dhe stabilitetit brenda një “Sirie të bashkuar dhe pluraliste”.

“Franca riafrmon përkushtimin e saj të palëkundur për të luftuar të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm dhe veprimin e saj kundër terrorizmit në Siri, përkrah partnerëve të saj në Koalicionin Ndërkombëtar kundër DEASH-it, si dhe mbështetjen për vazhdimin e tranzicionit politik”, shtoi ministria.

Më herët gjatë ditës, të paktën tetë persona u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën në incidentin në Xhaminë “Imam Ali ibn Abi Talib” në në lagjen Wadi al-Dhahab të Homsit.

Administrata e re siriane po punon për të forcuar masat e sigurisë në mbarë vendin dhe për të ndjekur mbetjet e regjimit të mëparshëm, të akuzuara për nxitje të trazirave të sigurisë.

Bashar al-Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi në fund të vitit të kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re tranzitore e drejtuar nga presidenti Ahmad al-Sharaa u formua në janar.