Franca dhe Arabia Saudite nënshkruajnë marrëveshje të partneritetit strategjik

Franca dhe Arabia Saudite nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik, transmeton Anadolu.

Një Memorandum Mirëkuptimi për krijimin e Këshillit të Partneritetit Strategjik midis dy vendeve u nënshkrua gjatë vizitës shtetërore tre-ditore të presidentit francez Emmanuel Macron në Arabinë Saudite.

Macron dhe Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman ranë dakord të zgjerojnë bashkëpunimin në shumë sektorë, përfshirë mbrojtjen, tranzicionin e energjisë, kulturën dhe lëvizshmërinë.

Macron dhe Salman ranë dakord gjithashtu të bashkëpunojnë për përgatitjen e Samitit të Veprimit të Inteligjencës Artificiale (AI), i planifikuar për 10-11 shkurt 2025 në Paris.

Presidenti francez theksoi synimin e tyre për të rritur bashkëpunimin “në çdo fushë”. Pallati Elysee tha se marrëveshja do të mundësonte “bashkëpunim dhe arritje konkrete” në fusha të ndryshme.

Diskutimet kryesore diplomatike u përqendruan në tensionet rajonale në Lindjen e Mesme.

Të dy udhëheqësit i dhanë përparësi përpjekjeve për de-përshkallëzim të konflikteve, veçanërisht në Gaza. Ata u angazhuan së bashku për të punuar drejt një armëpushimi të menjëhershëm, lirimin e pengjeve, sigurimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare dhe kërkimin e një zgjidhjeje politike bazuar në zgjidhjen me dy shtete, tha presidenca franceze.

Liderët u zotuan të vazhdojnë përpjekjet diplomatike për të konsoliduar armëpushimin midis Izraelit dhe Libanit.