Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Franca e quan ligjin izraelit për dënimin me vdekje “çnjerëzor dhe degradues”

Franca e quan ligjin izraelit për dënimin me vdekje “çnjerëzor dhe degradues”

Franca e ka cilësuar dënimin me vdekje si “çnjerëzor dhe degradues” pas miratimit nga parlamenti i Izraelit të një ligji që lejon dënimin me vdekje, por vetëm për të burgosurit palestinezë, transmeton Anadolu.

“Dënimi me vdekje është një sanksion që është si çnjerëzor ashtu edhe degradues. Franca mbështet heqjen e tij universale”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Pascal Confavreux.

Confavreux në një konferencë për media tha se Franca tashmë e ka shprehur qëndrimin e saj në një deklaratë të përbashkët me Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë, si dhe përsëri pas votimit të parlamentit izraelit të hënën në një deklaratë të mbështetur nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, duke shprehur “shqetësim të thellë”.

Ai shtoi se ligji bie ndesh me parimet demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare dhe kritikoi natyrën e tij “diskriminuese”.

Të hënën, Parlamenti i Izraelit miratoi ligjin që e bën dënimin me vdekje të paracaktuar për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar, të shpallur fajtor për sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve.

Confavreux gjithashtu tha se vendet e G7-tës dhe të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit do të zhvillojnë një takim javën e ardhshme për të diskutuar situatën në Ngushticën e Hormuzit, në kuadër të vazhdimit të luftës në Lindjen e Mesme.