Franca riafirmon përkushtimin për unitetin dhe integritetin territorial të Jemenit

Franca riafirmoi përkushtimin e saj ndaj unitetit dhe integritetit territorial të Jemenit, transmeton Anadolu.

“Franca po e ndjek me shqetësim situatën në Jemen. Në përputhje me deklaratën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të 23 dhjetorit, ajo riafirmon përkushtimin e saj ndaj unitetit dhe integritetit territorial të Jemenit, si dhe ndaj kompetencave të qeverisë dhe Këshillit Presidencial”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.

Në deklaratë thuhet se Franca mbështet përpjekjet diplomatike në vijim që synojnë arritjen e një zgjidhjeje politike.

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) të martën njoftuan përfundimin e pranisë së tyre ushtarake në Jemen pasi Këshilli Presidencial i Lidershipit kërkoi tërheqjen e forcave të tyre brenda 24 orësh.

Ky hap erdhi pak pas një sulmi ajror “të kufizuar” nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, që kishte në shënjestër dy anije të lidhura me EBA-në në portin Mukalla në Jemen.

Sulmi ndodhi në mesin e rritjes së tensioneve që nga momenti kur Këshilli i Tranzicionit Jugor (STC) mori nën kontroll provincat lindore Hadramaut dhe Al-Mahra në fillim të këtij muaji pas përplasjesh me forcat qeveritare.