Francë, nis greva dhe protesta kundër reformës së diskutueshme të pensioneve

Në Francë kanë nisur grevat dhe protestat kundër reformës së diskutueshme të pensioneve, ku pritet të marrin pjesë më shumë se 1 milion njerëz, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pritet që banorët e Francës të dalin në rrugë anembanë vendit, ku me thirrjen e sindikatave në shumë sektorë, veçanërisht energjia, transporti, arsimi dhe shëndetësia, do të marrin pjesë në protesta në shumë qytete.

Sipas raportimeve në shtypin e vendit, populli do të protestojë në më shumë se 300 pika ndaj reformës së qeverisë, e cila synon të rrisë moshën e pensionit nga 62 në 64.

Në rajonin Ile-de-France, pjesë e të cilit është kryeqyteti Paris, në orët e para të mëngjesit u krijua kolonë qindra kilometrash të automjeteve dhe disa stacione treni u bastisën nga protestuesit.

Policia ndërhyri kundër protestuesve që mësynë stacionet.

“Ditë e zezë” për vendin

Për shkak të grevës parashikohet të ketë ndërprerje në transportin tokësor dhe ajror.

Sindikata e Përgjithshme e Punësimit (CGT), e cila përfshin shumë sindikata, njoftoi se prodhimi i energjisë elektrike në termocentralet EDF, që është ofruesi kryesor i energjisë në vend, ka filluar të ulet me 3.000 vat.

Prodhimi i energjisë në termocentralet bërthamore gjithashtu ka rënë ndjeshëm.

Pothuajse të gjithë punonjësit në rafineritë dhe magazinat e TotalEnergies vendosën të dalin në grevë.

Punonjësit dhe studentët e Science Po, një nga universitetet kryesore evropiane të shkencave sociale me qendër në Paris, gjithashtu mbështetën grevat dhe protestat.

Duke theksuar se më shumë se 1 milion njerëz pritet të marrin pjesë në demonstrata, shtypi francez e cilësoi ditën e sotme si një “ditë të zezë” për vendin për shkak të ndërprerjeve në shumë sektorë, përfshirë transportin dhe energjinë, për shkak të grevave dhe protestave.

Ministria e Brendshme njoftoi se në kuadër të demonstratave në të gjithë vendin janë dislokuar 11 mijë policë dhe forca të xhandarmërisë.

Reforma e diskutueshme e pensioneve të qeverisë

Kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne, më parë kishte njoftuar se mosha ligjore e pensionit do të rritet gradualisht me 3 muaj çdo vit nga 1 shtatori në 64 vjeç deri në 2030.

Ndërsa mbi 1 milion njerëz morën pjesë në protestat e zhvilluara në të gjithë vendin më 19 janar kundër reformës së pensioneve, 8 sindikata drejtuese i bënë thirrje popullit të dalë sërish në rrugë sot. /aa