Francë, një prift akuzohet për abuzim seksual të shumë skautëve të mitur

Prokurorët francezë hapën një hetim për abuzimin e dyshuar nga një prift ndaj skautëve të mitur pasi morën letra nga viktimat, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazeta “Francebleu” shkruan se incidentet që ndodhën nga viti 1996-1999 në provincën verilindore Reims u bënë të njohura pasi dy nga viktimat kontaktuan me Prokurorin Publik Matthieu Bourette javën e kaluar.

Bourette tha se letrat pretendojnë se skautë të shumtë meshkuj janë abuzuar nga prifti. Ai shtoi se më shumë viktima janë të gatshme të japin dëshmi për incidentet.

Prokuroria Publike e Reimsit ka hapur një hetim për “sulm seksual ndaj një të mituri mbi 15-vjeç” kundër priftit të akuzuar, i cili thuhet se është tani në të 90-at.

Abuzimi seksual në kishat në Francë u theksua në një raport tronditës të publikuar më 6 tetor pas një pune që zgjati dy vjet e gjysmë.

Komisioni i Pavarur për Abuzimin Seksual në Kisha (CIASE), i cili përbëhet nga 21 ekspertë, paraqiti një pamje të zymtë të abuzimit seksual në kisha që është debatuar prej vitesh.

Raporti prej 2.500 faqesh, i përgatitur me kërkesë të Konferencës së Ipeshkvijve të Francës (CEF) dhe Konferencës Kombëtare të Kongregacioneve (CORREF), bazohet në arkivat e kishës, intervistat me viktimat dhe mbulimin mediatik.

Sipas raportit, 56 për qind e incidenteve kanë ndodhur ndërmjet viteve 1950-1969. Numri i rasteve shkon në 330 mijë kur shtohen edhe incidentet e abuzimit seksual të kryera nga punonjës në shkolla private dhe institucione të lidhura me Kishën Katolike. /aa